2012-02-13 15:45:56

Benedikti XVI për Ditën e Thirrjeve: të rizbulohet bukuria e meshtarisë dhe e jetës rregulltare.


Familja, bashkësi jete e dashurie, është vendi më i përshtatshëm për të rizbuluar bukurinë e meshtarisë dhe të jetës rregulltare. E nënvizon këtë Benedikti XVI, në Mesazhin e Ditës së ardhshme botërore të thirrjeve për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit, në shërbim të Kishës e të njeriut, që do të kremtohet më 29 prilli 2012.

“Thirrjet janë dhuratë e Zotit”: kjo është tema e Ditës, rast që na nxit të reflektojmë për të vërtetën më të thellë të jetës sonë, përmbyllur, nënvizon Benedikti XVI, brenda një misteri mahnitës, atje ku çdo krijesë e, në veçanti, çdo njeri, është fryt i mendimit dhe i dashurisë së Zotit, dashuri e pamasë, besnike, e amshuar. Vetëm zbulimi i këtij realiteti mund ta shndërrojë jetën tonë deri në thellësitë më të fshehta, na kujton Papa. Është dashuri pa kushte, pa interes. Na prin, na ndihmon e na thërret, në sa ecim në shtigjet e thepisura të jetës.
Çdo thirrje e veçantë, kujton Ati i Shenjtë në Mesazh, lind nga nisma e Zotit. Është Ai, që e bën hapin e parë, e jo pse ne jemi të mirë, pse e meritojmë të na afrohet, por për virtyt të pranisë së vetë dashurisë së tij, ndikuar në zemrat tona përmes Shpirtit Shenjt. Atëherë mund të pohojmë se masa më e lartë e jetës së krishterë është të duash, ashtu si do Zoti. Pikërisht në zemrat e njerëzve, që hapen pa ngurrim për dashurinë e Zotit, lindin të gjitha thirrjet, fryt i kësaj dashurie. Fjala e Zotit, lutja dhe Eukaristia janë thesari i çmuar, për të kuptuar bukurinë e jetës, që shkrihet e tëra në shërbim të Mbretërisë së Hyjit. Prej këndej, Benedikti XVI i nxit Kishat lokale të bëhen vende ku vlerësohen thellësisht thirrjet për rrugën meshtarake e rregulltare, ku shoqërohen me urti të rinjtë në formimin e tyre shpirtëror, ku ndihmohen të ecin të sigurtë në këtë rrugë. E këtë duhet ta bëjnë edhe familjet, bashkësi jete e dashurie, në gjirin e të cilave të rinjtë mund të rizbulojnë bukurinë dhe rëndësinë e meshtarisë e të jetës rregulltare. Në këtë mënyrë bashkësia e krishterë arrin të bëhet shprehje e dashurisë së Zotit, që ruan në gji të vet çdo thirrje për t’ia kushtuar gjithë jetën Atij e njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.