2012-02-11 16:04:44

Sot e dje, në Milano, edicioni i 7-të i Takimit “Piu XI dhe koha e tij”.


Dje, në Desio të Milanos, u mbajt për të shtatën herë Takimi “Piu XI dhe koha e tij”, organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve dhe Dokumentimeve Piu XI. Njëherësh me fillimin e takimit, kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Desio për kremtimet e 90-vjetorit të ditës kur Piu XI u zgjodh Papë, hapi edhe ekspozitën, titulluar “Cifla nga Papnia e Piut XI”.
Në ekspozitën përkujtimore, me hyrje të lirë, që do të jetë e hapur në Shtëpinë-Muze të Papës, deri më 11 mars, mund të soditen shumë objekte që i përkisnin Piut XI. Tiara, për shembull, që papët nuk e përdorin më, qysh me papninë e Gjon Palit II, dhuratë e dioqezës milaneze për ish-bariun e vet, kur u ul në fronin e Princit të Apostujve. Por edhe shumë cikërrima kishtare, që i përkisnin Papës së “Pajtimit”, huajtur nga sakrestia e Kapelës Sikstine.
Veprimtaria u mbyll me Meshën solemne, kremtuar dje, në Bazilikën e Shenjtorëve Siri e Materni, shoqëruar nga kori dhe orkestra simfonike Amadeus e Lenjanos.
Ndërsa sot, më 12 shkurt, ditë që të kujton kurorëzimin e Akile Rati-it në fronin e Shën Pjetrit, gjithnjë në Bazilikën desiane, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kryesoi, në orën 10.00, Meshën Solemne Pontifikale.Për kujtim të kremtimeve, në shtëpinë ku lindi Papa Piu XI, në Rrugën Piu XI, n. 4, u paraqit një pullë e posaçme poste, me hapjen e sportelit postar duke nisur nga ora 9.00 e ditës së sotme, gjë që u intereson në mënyrë të posaçme filatelistëve, sepse tepër e veçantë dhe e rrallë për koleksionet e pullave.







All the contents on this site are copyrighted ©.