2012-02-11 16:03:25

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar “B”


Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Tema qendrore e leximeve biblike të kësaj së diele është shpëtimi, do të thotë mundësia e realizimit të plotë të njerëzimit e të çdo individi njerëzor. Është kjo një temë thelbësore e cila duhet trajtuar në të gjitha aspektet e saj.
Marku ungjilltar vazhdon me tregimin e tij duke na paraqitur një tjetër mrekulli të Jezusit: ‘pastrimin’ e një njeriu të gërbulur. Bëhet fjalë për një ngjarje domethënëse sidomos për mesazhin e vet të lirimit. Shërimi i një të gërbuluri mund dhe duhet shikuar në vlerën simbolike: është njerëzimi mbarë ai që kërkon shërimin. Po kështu, nuk duhet harruar as problemin e gërbulës në kuptimin e ngushtë të fjalës sepse, megjithëse prej kohe nuk është në faqe të para të mediave, gërbula ende sot mbetet një ndër aspektet më dramatike të njerëzimit tonë bashkëkohor.
Po t’i kthehemi leximeve biblike të kësaj së diele, sikur do të dëgjojmë, edhe kësaj here, në pjesën e Ungjillit të së dielës marrë nga Shën Marku Ungjilltar, nënvizohet përsëri dhembshuria e përdëllimi i Jezu Krishtit ndaj vuajtjeve të njeriut dhe vullneti i tij për ta liruar, madje për të shpëtuar njeriun prej çdo të keqe. Pjesa ungjillore e kësaj së diele flet për njeriun e vdekur nga pikëpamja civile e shoqërore, për shkak të sëmundjes nga gërbula, e këndej si i tillë ishte i dëbuar prej njerëzve dhe i detyruar të rrinte në vetmi, larg çdo kontakti. Kështu pra, i sëmuri nga gërbula ishte i mënjanuar nga rrethi shoqëror, për arsye se në periudhën e Jezusit, gërbula më shumë se çdo sëmundje tjetër, konsiderohej simbol mëkati e faji para Zotit.
Jezusi duke e lejuar të gërbulurin t’i afrohej, e duke lejuar të preket prej atij që i kërkon: “Më shëro”, — të gjithë mëkatarëve u dëfton se Zoti i pret gjithmonë bijtë e vet të braktisur, të humbur, të sëmurë, të prekur e të pushtuar nga e keqja, i pret plot përdëllim. Ungjilli na tregon se Jezusi dëshmon dashuri për të sëmurët, për të papastërit, për të refuzuarit e të mënjanuarit e shoqërisë dhe pohon se Jezusi ka ardhur për shpëtimin e të gjithë atyre që mbështetën në dashurinë e në fuqinë e Tij Hyjnore, për të gjithë ata njerëz që kanë besim, që kanë fe në Hyjin Atë dhe Atij i drejtohen me lutje e zemër të sinqertë.
Duke iu afruar të sëmurit nga gërbula, Jezusi i shkel kanunet fetare e sociale të epokës së vet, por për Jezu Krishtin, para së gjithash është njeriu, mbi të gjitha vjen e vlen njeriu dhe prandaj ndërhyn për shpëtimin e tij. Pra Jezusi kategorikisht e refuzon përdorimin e religjionit (të fesë) për të përjashtuar e për t’i ndarë e përçarë njerëzit. Kurrfarë sëmundjeje, asnjë vuajtje, kurrfarë fatkeqësie nuk duhet të bëhet pretekst për të braktisur ndokënd: dhimbja e të afërmit tonë është rast për ta dashur edhe më shumë, hapësirë për të treguar bamirësi e përkujdesje ndaj secilit që ka nevojë për ndihmën tonë. Prapa dhimbjes, gjithmonë fshihet një shpirt njeriu.
Është një i gërbulur, o Jezus, prandaj nuk duhet ta prekësh:
për shkak të sëmundjes së vet
e kanë hedhur jashtë fshatit
e tani i vetmuar endet vërdallë nëpër vende të pabanuara e të vetmuara.
Është i gërbulur, o Jezus, nuk duhet ta prekësh:
frika e infektimit e ka detyruar
të lë shtëpi e familje, punë e miq.
Është i gërbulur, Jezus, nuk duhet ta prekësh:
pse nuk je i matur, pse nuk je i kujdesshëm?
E di fare mirë se kjo është sëmundje e tmerrshme
që shkatërron gjymtyrët e,
që shpërfytyron trupin….
E megjithëkëtë, Jezus, ti do ta shërosh
këtë njeri që ka rënë në gjunjë para teje,
ti nuk do ta lirosh nga padrejtësia e nga përbuzja
pa e afruar pranë vetes, pa e prekur.
Edhe pse është punë e rrezikshme….
edhe pse është infektues…..
po Ti, o Jezus, pikërisht për këtë
je bërë njeri,
për të na dëftuar se Zotin e kemi afër:
afër njeriu që vuan,
afër njeriut që është rob i së keqes,
afër njeriut që ndjehet i lodhur dhe i vetmuar.
Në kontakt me sëmundjen,
në kontakt me të këqijat më të tmerrshme e sekrete,
me realitetin shumëformësh të mëkatit,
ti o Jezus, ofron çlirimin e pashpresuar,
duke rrezikuar jo vetëm të infektohesh,
por, deri edhe jetën tënde.
E kjo zgjedhje, ky përcaktim dashurie
do të të çojë në kryq.
Kryqi yt, o Jezus, është dru shëlbimi për çdo njeri.
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit mund të dëgjoni këtu........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.