Festa e Zojës së Lurdë: Të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë
së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme.
Mesazhi i Zojës së Lurdës, që bie nesër më 11 shkurt, është ftesa për pendesë e për
shëlbim. Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi
që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri ende sot nga Shpella
e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen e të shpresojnë në Hyjin.
Nga Lurda Maria vijon t’u dëftojë njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje,
që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na
kërcënojë. Zoja e Bekuar i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që
vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin sytë drejt Krishtit mbi Kryq , për të gjetur
aty burimin e jetës e të shëlbimit”.
Mesazhi i Lurdës, mund t’i japë një hov
të ri fesë e mund t’i përforcojë më tej besimtarët, për ta kumtuar me guxim gjithnjë
më të madh misterin e Krishtit me gjeste e vepra dashurie e vëllazërimi. Maria zgjodhi
Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj të kthimit në rrugën e Zotit, të lutjes,
të pendesës. Maria na zbulon, në Lurdë, bukurinë e shndërruar, figurën e njerëzimit
të ri, ajo shpreh sjelljen e lirisë sonë të plotë para planit e vullnetit të Zotit,
bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet. Ky privilegj u përket të gjithëve,
sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga mëkati, por të shpëtuar në shpresën
e Hirit të Zotit, gjë që ndihmon në përballimin e jetës së përditshme.
Maria
në Lurdë na kujton rolin qendror që ka lutja në jetën e të krishterëve e na kërkon
të mos e humbasin guximin përballë vështirësive. Kisha në këtë festë na nxit të marrin
shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit, e na fton, t’u përgjigjemi thirrjeve
të Zotit, sepse Ai mund të na i plotësojë dëshirat më të thella të zemrave tona. Atyre
që Zoti i thërret ta ndjekin në rrugën meshtarake ose rregulltare, Kisha na kujton
gjithë lumturinë, që ndjen njeriu, kur e dhuron plotësisht jetën e vet në shërbim
të Hyjit e të njerëzve.
Urimi është që familjet dhe bashkësitë e krishtera
të bëhen vende, ku mund të lindin e të fitojnë pjekurinë thirrje të reja shpirtërore
në shërbim të Kishës e të botës. Maria na fton të jetojmë si ajo, plot me shpresë
të pamposhtur në Zotin e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë se ne jemi
të burgosurit e fatit.
E para Marisë, na përkujton Kisha, njeriu nuk duhet
të ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të paraqesë dyshimet
dhe dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë të mburrjes e,
falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë, udhë drejt jetës
së vërtetë, drejt lumturisë së përjetshme në Hyjin e me Hyjin. Festa e Zojës së
Lurdë na kujton edhe një herë se lutja e kthimi i zemrave janë rruga për ta përtërirë
jetën dhe botën. Shenjtorja e Zojës së bekuar në Lurdë është si dritë në errësirë,
në ecjen tonë nëpër terr drejt Hyjit e Maria na hapi një portë drejt jetës së përtejme,
drejt jetës së përjetshme, që na pret e na josh. Virgjëra Mari është inkurajim i popullit
të besimtarëve që, krenarë e të fortë në fe, t’i jetojnë vendosmërisht mësimet e Krishtit
e të Kishës së tij.