81-vjetori i themelimit të Radio Vatikanit, sot i orientuar edhe drejt ‘kufijve’ të
ri të botës digjitale.
Si sot më 12 shkurt 1931 përurohej Radio Vatikanit nga Papa Piut XI me radiomesazhin
e tij drejtuar botës në praninë e Gulielmo Markonit, shpikësit të radios, e Atë Gjuzepe
Gjanfrançeskit S.J., drejtorit të parë të Radio Vatikanit. Kanë kaluar 81 vjet
që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin
e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike,
ideologjike, shoqërore e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet
të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, më 12 shkurt
2006, Papa Benedikti XVI që do ta vizitonte Radion pak ditë më pas, më 3 mars 2006,
mes tjerash nënvizoi: “... me mjetin e radios e pastaj të televizionit, mesazhi
i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më shpejt e më lehtë ndër të
gjithë popujt”. Po kujtojmë se Benedikti XVI është papa i gjashtë që vizitoi Radio
Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII,
papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit
VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, përuruar nga paraardhësi i tij
Gjoni XXII dhe më vonë Gjon Palit II. E sot Radio Vatikani, përveç transmetimit me
valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të njohura e më të
përparuara të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm
për 81-vjet: të çojë në botë zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë,
mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë të Zotit.
Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton
23 mijë orë vjetore. Ndër gjuhët e ndryshme të botës, Radio Vatikanit flet edhe gjuhën
shqipe që nga 3 tetori i vitit 1951.