Kalendari i 10 shkurtit përkujton Shën Skolastikën.
Lindur në Norcia të Italisë rreth vitit 480 - e vdekur në Piumarola më 10 shkurt 547,
qe motra e Shën Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje, shkruar në "Librin
e Dialogeve" të Shën Gregorit të Madh. Dihet me siguri se pak vjet para e të vdiste,
banonte pranë Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastririn e famshëm, që edhe
sot e kësaj dite sundon mbi kodrën me të njëjtin emër.Së bashku me një grup vajzash,
vendosi të ndiqte gjurmët e të vëllait, për t'i shërbyer Zotit jo duke u larguar e
duke u fshehur nga bota, por duke jetuar në bashkësi të mirorganizuar e duke e kaluar
kohën me lutje, punë e studim. Kështu me Shën Skolastikën lindte monakizmi femëror
përendimor. Gjithsei ajo jetoi e vdiq nën hijen e vëllaut të saj të madh, madje edhe
u varros në të njëjtin varr me Shën Benediktin. Shumë shpejt për nder të saj u ngritën
kisha e kapela, ndërsa tradita popullore e njohu si ndërmjetëse të njerëzve që rrezikohen
nga rrufetë ose që kërkojnë të bjerë shi. Faqja më e bukur e jetës së saj, është
ajo e takimit me Benediktin, që ruhet kështu në kujtesën e përshpirtërisë popullore:
“Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë
qëndrore. Do të takohet me vëllaun binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej
treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë
themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit.
Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e
takohen në një shtëpizë në gjysëm të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që
të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra
e jetës së tyre. Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të
vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën
dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare,
Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta, që ia
kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine. “Dita
do të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do
të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në
trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli,
e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha viteve. Dy binjakët
takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha
shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet
pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur. Motra, e ngashëryer, i
lutet: “Vëllau im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”. Benedikti tund
kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli
– pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt
menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen.
Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj
rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë
natën. Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllau merr lajmin e vdekjes të
së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë
e papritur. Shumë artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin
lidhjen e ngushtë të vëllaut me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën
Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën
e pëllumbit!