2012-02-08 16:39:47

Siri: dhunë edhe kundër fëmijëve. Uniçef-i e quan masakër të të pafajshmëve.


Të masakruar, të përdhunuar, të vrarë. Është fati tragjik i qindra fëmijëve në Siri, viktima të një dhune, që gjakos prej kohe vendin, së cilës nuk i duket fundi. Kushtrimin e lëshon Uniçef-i, që i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë, sa s’është vonë. Dëgjuam, në mikrofonin tonë, thirrjen e Paola Bianki-t, kryetare e seksionit italian të Fondit të OKB-së për Fëmijët:

Përgjigje: - E quajnë “masakra e të pafajshmëve”, e nuk është absolutisht e pranueshme. T’u marrësh jetën fëmijëve nën moshën 14 vjeçe… E jo një a dy fëmijëve, por më se 400-ve e po aq, t’i mbyllësh në burg si kundërshtarë…

Pyetje: - Po pse gjithë kjo dhunë e padëgjuar kundër fëmijëve? Ç’ kanë bërë këto fajtorë të pafajshëm?

Përgjigje: - Jemi para ngatërrimit të fëmijëve në ngjarjet tragjike nga ana e trupave rebele, që i përdorin si mburoja, duke i vënë në radhët e para. Fëmijët arrestohen së bashku me familjet, me prindërit, torturohen, masakrohen e shpërdorohen edhe seksualisht.

Pyetje: - Ç’mund e ç’ duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - Bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkojë zërin me kushtrimin e Uniçefi-t e ta bëjë këtë në mënyrë të tillë, që padia e uluritur, ta tundë mbarë botën, me shpresë që ta dëgjojë e ta ndryshojë këtë situatë të turpshme e kriminale.

Pyetje: - Po si mund të bëhet kjo, kur ambasadat janë të mbyllura?

Përgjigje: - Është e vërtetë, shumë vende Evropiane i kanë mbyllur ambasadat; por është e vërtetë edhe se Bashkimi Evropian e ka parë të arsyeshme t’i ruajë pozicionet e veta në Siri, pikërisht sepse i duket e domosdoshme që mos t’ia mbathin të gjithë. Dikush duhet të mbetet në fushën e betejës, së paku për të parë e për të dëgjuar, e pastaj, natyrisht, edhe për të treguar.

Pyetje: - A mund të shpresohet në përmirësimin e situatës?


Përgjigje: - Do të bëjmë gjithçka është e mundur. Por sigurisht që duhet të jemi edhe realistë: kam frikë se këtu do të na duhet përsëri të numërojmë të vdekur e të plagosur. Edhe për sa kohë akoma? Ku ta dish! Askush nuk mund ta thotë me siguri. Na mbetet vetëm të shpresojmë se ndërmjet të vdekurve nuk do të ketë më fëmijë, që nuk kanë kurrfarë faji, sido që të jetë situata. Gjithsesi, nuk e humbasim shpresën se dhuna do të marrë fund sa më shpejt.








All the contents on this site are copyrighted ©.