2012-02-08 17:33:24

Paraqitet stema e DBR-së të Rios 2013. Autori është një i ri brazilian.


Quhet Gustavo Huguenin, 25 vjeçari brazilian, autor i stemës së Ditës Botërore të Rinisë, Rio-de-Zhanéjro, 2013. Mbrëmë, gjatë një kremtimi në metropolin kariokas, pranë auditoriumit të ndërtesës me emrin e Gjon Palit II, në distriktin e Glorias, ‘stema’ e DBR-së së ardhshme u paraqit zyrtarisht. I pranishëm, ndërmjet të tjerëve, edhe kryeipeshkvi i Rio-de-Zhanéjros, imzot Orani João Tempesta. Në mikrofonin tonë, imzot Tempesta flet për karakteristikat grafike të stemës:

Përgjigje: - Stema e re e Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Rio-de- Zhanéjro harmonizon ngjyrat braziliane: ngjyrën e blertë, të verdhë, të kaltër e të bardhë – ndërsa në qendër, ka figurën e Shëlbuesit, karakteristike për Rio-de- Zhanéjron dhe mbarë Brazilin. Dallohet edhe hija e Pan di Zucchero, mal i Rio-de- Zhanéjros; e edhe një zemër. Është zemra e rinisë. Pastaj, një kryq i vogël, që të kujton se qendra e Ditës është vetë Krishti.

Pyetje: - Diçka për autorin ….

Përgjigje: - Është një i ri nga distrikti i Rio-de-Zhanéjros. Patëm shumë propozime nga mbarë bota, edhe nga Kina… Por, teknikët zgjodhën këtë stemë, ndërmjet shumë vizatimeve të dërguara nga studentët e grafikës. I riu ka lindur në Kantagalo.

Pyetje: - Si po shkojnë përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro, e edhe shtegtimi i Kryqit dhe i ikonave nëpër rrugët e Brazilit?


Përgjigje: - Mirë: në këto ditë, ikona e Zojës dhe Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë, përshkojnë udhët e pafundme të Brazilit me gëzim, me pjesëmarrje të turmave rinore. Kjo është përgatitje për Ditën e Rinisë, detyrë e të rinjve brazilianë, të cilët duhet të jenë të bashkuar me Kishën, për të ndërtuar një botë më të mirë.









All the contents on this site are copyrighted ©.