Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk na braktis kurrë; si Krishti mbi kryq,
t’ia besojmë edhe ne Atij dhimbjen tonë.
Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot në Sallën e Palit VI në Vatikan,
ia kushtoi lutjes së Jezusit para vdekjes. Sipas shembullit të Krishtit, “para
situatave më të vështira e të dhimbshme, atëherë kur duket se Zoti nuk dëgjon, nuk
duhet të kemi frikë t’ia besojmë Atij peshën që bartim në zemrën tonë”. Këto janë
fjalët e Papës shqiptuar në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite
në Vatikan. Çdo njeri, që ecën në udhët e vështira të jetës, e njeh mirë dhimbjen.
Në shpirt e në trup të vet, a të njerëzve, që i do. Njeh mirë edhe situatat e dhimbshme,
në të cilat i duket se Zoti nuk ia kupton vuajtjen e nuk ia dëgjon britmën. I duket,
por nuk është ashtu! Zoti është pranë përherë, Zoti na dëgjon gjithnjë. Nuk duhet
të kemi frikë, e as të ndjehemi të vetmuar, të braktisur nga toka e nga qielli. Në
situata të tilla, duhet t’ia besojmë Atij gjithë barrën e dhimbjes e të ankthit të
zemrës sonë të brishtë. T’ia besojmë zemrës së tij, zemrën tonë. Kështu u shpreh
mes tjerash Papa Ratcinger gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot në Sallën
e Palit VI, kushtuar lutjes së Jezusit para vdekjes. Benedikti XVI foli për çastet
e fundme të jetës tokësore të Krishtit, për gjashtë orët e tmerrshme të Zotit mbi
kryq. Duke u nisur nga këto orë, propozoi një reflektim mbi errësirën e këtyre çasteve
e mbi britmën e Krishtit: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?”, që çdo besimtar e
përsërit në orët e ankthit: ashtu si Krishti, ose me një ndryshim të vogël, shenjë
shprese e ngushëllimi: “Zoti im, Zoti, im, mos më lësho dore!”. Papa u ndalua tek
lutja e Jezusit në fill të mortjes, përshkruar nga dy ungjilltarë, Marku e Mateu,
si në greqisht, gjuhë në të cilën u shkrua rrëfimi i tyre, ashtu edhe në një përzierje
të hebraishtes me aramajkishten, për të bërë që të kumbojë në shekuj jo vetëm përmbajtja,
por edhe tingëllimi rrënëqethës i kësaj lutjeje të fundme, që doli nga buzët e shkrumbuara
prej uthullës, të Jezusit: “Eloì, Eloì, lemà sabactàni?”. Krishti ishte i rrethuar
me njerëz që e tallnin, që ndiqnin me cinizëm shfaqjen makabre, që nuk mundeshin e
as nuk donin ta kuptonin lutjen e Tij, shpjegoi Papa. I duket, prandaj, sikur zhytet
në një errësirë të thellë, që dyndet jo vetëm mbi të, por edhe mbi gjithë botën. Atëherë
britma e tij gris tisin e territ. Lutja e të Kryqëzuarit tregon se njëherësh me peshën
e vuajtjes e të vdekjes, të braktisjes e të mungesës së Zotit, Ai e ndjen praninë
e Atit. Ati është aty, është pranë, e miraton aktin më të lartë të dashurisë, të dhurimit
të plotë të vetvetes, ndonëse nuk dëgjohet, si në çaste të tjera, zëri i Tij, që vjen
nga lart. Në orët e ankthit, lutja kthehet në britmë. E kështu na ndodh edhe ne. Në
orët e vuajtjes e të dhimbjes, lutja jonë drejtuar Zotit bëhet britmë, në përpjekjen
e dëshpëruar për t’u kapur deri në kupë të qiellit: “Para situatave më të vështira
e më të dhimbshme, kur duket se Zoti hesht, nuk duhet të trembemi, por ta lëshojmë
në dorë të tij gjithë peshën ndrydhëse të zemrës sonë; nuk duhet të kemi frikë, por
ta bërtasim në kupë të qiellit dhimbjen, që Zoti të na e dëgjojë lutjen”. Kur
të gjithë e braktisin, kur e rrahin dhe e poshtërojnë, Jezusi lutet, me bindjen e
plotë se Ati është pranë, edhe në këtë orë, mbi të cilën peshon gjithë tragjedia njerëzore
e vdekjes, e vdekjeve: “Ka rëndësi të kuptohet se britma e Jezusit nuk është
britma e njeriut, që shkon i dëshpëruar e shpresëhumbur drejt vdekjes, e as britma
e atij, që beson se është krejtësisht i braktisur. Jezusi, në këtë çast, bën të vetin
Psalmin 22, Psalm i popullit të Izraelit, që vuan, e kështu merr mbi vete jo vetëm
vuajtjen e popullit të vet, por edhe atë të të gjithë njerëzve, që shkelen nën thundrën
e së keqes e, njëkohësisht, e çon gjithë këtë dhimbje, të pakufishme, në zemrën e
vetë Zotit, i sigurt se britma e tij do të dëgjohet në ringjallje: “Britma e dhimbjes
së fundme shkëputet nga kraharori me bindjen e plotë se përgjigjja e Zotit nuk do
të mungojë, se shpëtimi është afër, e jo vetëm për Jezusin, por për shumëkënd”. Në
lutjen e Krishtit ndjehet fuqimisht besimi e lëshimi i plotë në dorë të Zotit, edhe
kur duket se Ai mungon, hesht, duke ndjekur një plan krejt të pakuptueshëm për ne,
të vdekshmit. Jezusi nuk vuan vetëm. Vuan me ne e për ne. Vuajtja e Tij buron nga
dashuria e mbart në vetvete shëlbimin, fitoren e dashurisë mbi vdekjen. Në çastin
e fundit, zemra e shporuar e Jezusit nuk mund të mos e ndjejë dhimbjen, por ndjen
njëkohësisht, edhe sigurinë, që buron nga prania e Atit e edhe nga miratimi i planit
të Tij, shpëtimtar për mbarë njerëzimin: “Edhe ne e dimë mirë ç’do të thotë
‘e sotme’ e vuajtjes, e heshtjes së Zotit, dhe e shprehim shumë herë në lutje; por
e dimë mirë edhe ç’do të thotë ‘e sotme’ e ringjalljes, e përgjigjes së Zotit, që
merr mbi vete gjithë barrën e padurueshme të vuajtjeve tona, për t’i mbartur së bashku
me ne e për të na ngjallur shpresën se do t’i mundim”. Kjo ndodh, sepse në
lutje, kujtoi Benedikti XVI, i çojmë para Zotit kryqet tona të përditshme, me bindjen
se Ati është pranë nesh e na dëgjon. Këtë koncept Papa e përsëriti edhe në lutjet
përfundimtare, shqiptuar, si zakonisht, në gjuhët kryesore të botës e të shtegtarëve
të pranishëm në Sallën e Palit VI, në Vatikan: “Britma e Jezusit na kujton se
nuk duhet të lutemi vetëm për vete, për problemet tona, por edhe për nevojat e vuajtjet
e të tjerëve. Urata e Jezusit në grahma mbi kryq na mëson të lutemi me dashuri
për shumë vëllezër e motra, që mbartin mbi supe barrën e rëndë të jetës së përditshme,
kalojnë çaste të vështira, durojnë dhimbje të padurueshme, nuk i ngushëllon askush.
Ta çojmë, përmes lutjes, këtë rektim të zemrës njerëzore, para zemrës së Zotit, që
të gjithë ta ndjenë dashurinë e Atij, që nuk të braktis kurrë”.