2012-02-08 16:30:58

Në sipomziumin “Drejt shërimit dhe përtëritjes” theksohet se abuzimi seksual është krim. Dëshmia e Meri Kollins, viktimë e abuzimit


Përfundoi sot dita e tretë e punimeve të Simpoziumit “Drejt shërimit dhe përtëritjes”, organizuar nga Universiteti Gregorian në Romë, për të diskutuar mbi çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve nga ana e disa anëtarëve të klerit. Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Mark Oje, në homelinë e djeshme, gjatë lutjes pendestare në kishën e Shën Injacit të Lojolës, pohoi: “Abuzimi seksual është krim, që i bën të pafajshmit të përjetojnë vdekjen”, është burim turpi e shkandulli të madh për Kishën. “Kurrë më!” – bubulloi kardinali, duke përdorur fjalët e të Lumit Gjon Pali II e, edhe duke pranuar se në të kaluarën nuk është bërë gjithçka duhej, për të penguar përgjegjësit e abuzimeve të shpërdoronin sërish besimin e dhënë.
Simpoziumi ngul këmbë sidomos në parandalimin e fenomeneve të tilla dhe në mbrojtjen e viktimave. Njëra prej tyre merr pjesë në punime. Është zonja irlandeze Meri Kollins, e abuzuar seksualisht nga një meshtar, që në moshën 13 vjeçare. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Vetë fakti që Kisha vendosi të mbajë një simpozium të tillë është shumë i rëndësishëm! Si viktimë, e kam kritikuar shumë Kishën, kam vuajtur nga dora e vetë dioqezës sime, kur desha të nxjerr para drejtësisë personin, që kishte abuzuar me mua. Por nuk mund të jetojmë në të kaluarën: duhet të shkojmë përpara. E gjëja më e rëndësishme – e vetmja gjë e rëndësishme – është siguria e fëmijëve. E nga një simpozium si ky, shpresoj që krerët e Kishës të mund ta kuptojnë e ta njohin më mirë argumentin, për të parandaluar përsëritjen e fenomenit në të ardhmen… Kam frikë se direktivat e zbatuara deri tani nuk janë të mjaftueshme. Është e domosdoshme të ketë pasoja për çdo anëtar të hierarkisë kishtare, që nuk i zbaton ato. Nuk duhen gjë fjalët në letër, nëse nuk pasohen nga veprat. Sigurisht, çështja e abuzimeve nuk kufizohet vetëm me Kishën: është në shoqëri. Por, nëse Kisha do ta sqaronte hierarkinë e saj si ta parandalojë këtë të keqe të tmerrshme, do të jepte një kontribut të madh për shërimin e njerëzve, që kanë humbur shumë, që janë plagosur thellë nga mënyra e trajtimit të fenomenit deri më sot. Do t’i ndihmonte të kenë sërish respekt për vetveten.
Për çfarë kanë nevojë fëmijët, që kanë pësuar abuzime, kur kuptojnë se ka ndodhur diçka e gabuar, e rëndë?
Nuk peshon aq, ç’të bën fizikisht, ai që abuzon: është më tepër si të bën të ndihesh psikologjikisht. Mua më vinte turp, e shihja veten si njeri i keq, i padenjë. Nuk doja që ta merrnin vesh. Njerëzit pyesin: pse fëmijët nuk tregojnë ç’u ka ndodhur? Nuk e tregojnë, sepse mendojnë se janë ata, që kanë bërë diçka të keqe, prandaj heshtin. Brenda tyre, krijohet vetëdija se ka diçka, që nuk shkon me ta. Në rastin tim, kjo solli një formë të rëndë depresioni: më kapën fobi të ndryshme, kisha frikë nga gjithçka, nuk arrija të punoja, nuk mund as të qëndroja në punë, shtrohesha orë e minut në spitale psikiatrike… Vetëm pas 30 vjetësh arrita t’i tregoj gjithçka një mjeku, që më ndihmoi. Kur pata guximin të tregoj, të kthehesha mbrapsht e ta përballoj atë ngjarje, pra, që prej 15 vjetësh, nuk kam rënë më në dëshpërim, nuk kam kaluar më gjendje ankthi. Prandaj, sipas meje, sa më parë ta kuptojmë se një fëmijë është viktimë e abuzimeve, aq më shpejt mund ta ndihmojmë e t’i shpëtojmë pjesën tjetër të jetës.
Si keni arritur të mbeteni katolike e të pajtoheni me atë Kishë, që ju pati tradhtuar dikur?
Jam impenjuar shumë në Kishë, kam bashkëpunuar me Komitetin, që hartoi direktivat për mbrojtjen e fëmijëve, kam punuar në dioqezën e Dublinit për të organizuar Zyrën për mbrojtjen e fëmijëve… E megjithatë, edhe sot e kësaj dite, e kam shumë, shumë të vështirë ta praktikoj fenë. Unë dua të jem katolike, dua të mbetem në Kishë, kapem pas saj me thonj e dhëmbë e dua që kjo histori të marrë fund. Sepse shpresa ime është, që në fund të fundit, Kisha të arrijë ta zgjidhë këtë problem. Në vendin tim, e ka humbur kaq shumë respektin e besimin, gjithçka ka qenë kaq shumë shkatërrimtare… E më e keqja e të gjithave nuk qe zbulimi se brenda Kishës ka njerëz, që abuzojnë: ndodh edhe në shoqëri, në skuadrat e futbollit, në ato të notit, ndërmjet mësuesve… Më e keqja e të këqiave qe zbulimi se këta njerëz mbroheshin nga persona, që duhej të kishin mbrojtur fëmijët: kjo i solli dëme të hatashme fesë dhe besimit të popullit, kjo ndikoi për keq në fenë e besimin tim. Por nuk e kam humbur kurrë fenë në Zotin e në Jezu Krishtin: ajo nuk ndryshoi aspak. Vetëm se e kam të vështirë të shkoj në kishë, e kam shumë të vështirë. E megjithatë, aty rri.







All the contents on this site are copyrighted ©.