Më 8 janar kalendari përkujton shën Jeronim Emilianin
Shën Jeronim Emiliani, është themelues i Shoqërisë së Shërbëtorëve të të varfërve
(Somaskët) e u përkujdes për të sëmurët, të rinjtë e braktisur e për shpëtimin e prostitutave.
I lindur në Venedik më 1486, fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani
ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por
si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle,
lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij
të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’
ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit
e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve. E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë
veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella
në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë,
nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim
të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të braktisur e grave të penduara e që donin
të shpëtonin nga prostitucioni. E kështu, pas një periudhe të shkurtër noviciati si
pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë
jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si
ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfrit. Lindën kështu “Shërbëtorët
e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhri i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit
Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit
shkonin për t’u lutur. Shën Emiliani përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen
në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai
i larton të përvujtët. Në se e ruani veten në mesin e tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë
në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht,
në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537,
derisa po u shërbente të sëmurëve. U shpall shenjt më 1767, e më 1928 u shpall pajtor
qiellor i rinisë së braktisur.