2012-02-08 18:31:18

Këshilli i Sigurimit të KB shqyrton situatën në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nisi diskutimin sot për situatën në Kosovë. Në takim po shqyrtohet raporti tremujor i sekretarit ë Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon.

Ministri i Jashtëm i Serbise Vuk Jeremic në fjalimin e tij gjatë punimeve të këtij sesioni theksoi se situata në Veri nuk është përmirësuar, por përkundrazi, tha ai, janë rritur rastet e dhunës dhe krimit. Sipas Jeremic, situata në veri rrezikon paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

“Është rrezik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Është një rrezik i vazhdueshëm për shkak të rritjes së dhunës dhe tensioneve. Përmirësimi i situatës është i ngadalshëm. Asgjë nuk është bërë më mirë pasi dhe trendi i dhunës po ndodh dhe numri i të kthyerve serbë në shtëpitë e tyre mbetet ende shumë i ulur”

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila po vazhdon në Nju Jork, informoi për progresin e arritur gjatë periudhës raportuese si dhe për sfidat aktuale.
Ministri Hoxhaj theksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në sigurimin e rritjes ekonomike, adresimin e papunësisë dhe sigurimin e drejtësisë sociale për të gjithë, përmirësimin e klimës investuese të biznesit dhe reformimin e sektorit të energjisë dhe arsimit.
"Për Kosovën, konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së saj është shumë thelbësor, që të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Prandaj dëshiroj të ftoj të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të përkrahin pjesëmarrjen tonë në institucione rajonale dhe globale pasi që përfshirja e Kosovës do të respektonte të drejtat dhe nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit tonë", ka shtuar Hoxhaj.
Para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ministri Hoxhaj tha se Kosova është shtet funksional, prosperues, i qëndrueshëm dhe shumetnik, me një shoqëri pluraliste dhe me një ekonomi vazhdimisht në rritje.
"Ky kapitull i ri i shtetit tonë është një zhvillim i rëndësishëm afatshkurtër dhe afatgjatë për Kosovën, tërë rajonin dhe Bashkimin Evropian. Në katër vitet e fundit, për arsye të bashkëpunimit të ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe ICO-së, Kosova ka bërë progres thelbësor në zbatimin e Planit të Ahtsaarit përmes pjesëmarrjes dhe promovimit të komuniteteve të serbëve, boshnjakëve, goranëve, turqve, romëve, ashkalive dhe egjiptianëve - në të gjitha nivelet e qeverisjes", nënvizoi Hoxhaj.
Ministri kosovar E. Hoxhaj inforoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit edhe për perspektivën e marrëdhënieve komplekse ndërmjet Kosovës e Serbisë, dialogut teknik dhe të ardhmes evropiane të Kosovës. "Mendoj se nuk mund të flasim për një Evropë të tërë, të lirë, demokratike dhe në paqe pa zgjidhur çështjet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Kosovës integrimi i plotë i rajonit në institucionet euro-atlantike, është mënyra më e mirë për të siguruar paqe afatgjatë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë", ka theksuar Hoxhaj.
Duke folur për dialogun teknik mes Kosovës e Serbisë, ministri Hoxhaj tha se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Kosovën.
Ministri Hoxhaj foli edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
"Së pari, në lidhje me veriun e Kosovës, Serbia ka dështuar t'i mbajë obligimet sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit Evropian. Situata në terren, veçanërisht në veri të Kosovës mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes së qytetarëve dhe të mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës. Në kundërshtim me rezolutën 1244, Serbia ende mban struktura të sigurisë dhe gjyqësisë përfshirë qindra policë, anëtarë të xhandarmërisë dhe policisë sekrete në veriun e Kosovës. Për më tepër, dy aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, KFOR-i dhe veçanërisht EULEX-i, misione të autorizuara nga Këshilli i Sigurimit, nuk janë në gjendje të kryejnë mandatin për arsye të bllokadave", ka theksuar Ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj tha se sundimi i ligjit nuk është i negociueshëm dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. "Së dyti, Serbia ka dështuar të përmbushë obligimet prej të gjitha marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Bruksel. Pavarësisht zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së lirë, të gjitha marrëveshjet tjera si kthimi i regjistrit civil dhe librave kadastralë, njohja e dyanshme e diplomave shkollore dhe universitare dhe integrimit të menaxhuar të kufirit nuk janë zbatuar aspak. Në çështjet e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, Serbia ka dështuar të pajtohet me propozimet që kanë ardhur nga Kosova dhe Bashkimi Evropian", shtoi Hoxhaj.
Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj tha se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varet nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian.
Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, theksoi Hoxhaj
"Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë të afatshkurtra dhe afatgjate. Situata e "status-quo"-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme", ka paralajmëruar ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për paralajmërimin e strukturave ilegale shtetërore të Serbisë, të cilat po synojnë organizimin e referendumit në komunat veriore të Kosovës.
"Këtë vit, kur zgjedhjet do të organizohen në Serbi, Beogradi po synon t'i organizojë ato brenda territorit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, kjo përbën shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 dhe sovranitetit tonë shtetëror. Këto ngjarje të mundshme mund të paraqesin një zhvillim shumë të dëmshëm për stabilitetin përbrenda Kosovës dhe mund të vendosin tërë arkitekturën e sigurisë rajonale në pikëpyetje", ka shtuar ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj në fund i bëri thirrje Serbisë të përmbahet nga dhuna, veprimet destabilizuese dhe retorika provokuese.







All the contents on this site are copyrighted ©.