Shën Rikardin, qenë Mbret i Anglisë, e Martriologu romak e përkujton më 7 shkurt.
Për të ekziston një dokument historik, në të cilin shkruhet: “Shën Rikardi, mbret
i Anglisë, atë i Vilebaldos, ipeshkëv i Aishtatit, i Shën Vunibaldit, abat i Haidenhaimit
dhe i Shën Valburgës, virgjër, u varros në Luka të Toskanës”. Ndërsa murgesha
Hugeburk e Haidenhaimit shkruan se rreth viteve 720 Vilibaldi, njëzetvjeçar e Vunibaldi,
nëntëmbëdhjetë, u nisën pas babait të tyre nga Hëmpmshiri i Anglisë drejt Romës, për
të nderuar reliket e Shën Pjetrit e të Shën Palit e për të vijuar më pas shtegtimin
drejt Tokës Shenjte. Por këtë shtegtim të përshpirtshëm mundi ta kryente vetëm Vilibaldi,
sepse Vunibaldi u ndalua në Romë, ku qëndroi deri në vitin 739, ndërsa të atit iu
desh ta ndërpriste shtegtimin shumë më shpejt në Luka të Italisë, ku vdiq e u varros
në bazilikën e Shën Fredianit në vitin 722. Historia e dy vëllezërve, e motrës
së tyre Valburgës dhe e një vëlla tjetër, që nuk i dihet emri, vijon. Ata u bënë bashkëpunëtorë
të ngushtë të Shën Bonifacit, apostull i gjermanëve, që festohet më 5 qershor.