Konferenca e shtypit e paraqitjes së Mesazhit të Papës për Krezhmët. Kardinali Sarah:
të mos ekzaltohet interesi vetjak
Siç e thamë, Mesazhi i Papës për Krezhmët u paraqit sot paradite, në Sallën e Shtypit
të Vatikanit. Ndër relatorët, edhe kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali
Robert Sarah, i cili vuri në dukje se si thirrja e Papës për të ndihmuar e për t’u
kujdesur për njëri-tjetrin, është jashtëzakonisht aktuale në këtë periudhë krize ekonomike: “Nuk
mund të heshtim, në vazhdën e asaj, që thotë Benedikti XVI, për bazën e krizës sonë
financiare, e cila e ka themelin në lakminë, në kërkimin e shfrenuar të parasë, pa
skrupull e pa marrë parasysh kë ka më pak e kë duhet të mbartë mbi vete pasojat e
vendimeve të gabuara të të tjerëve. Kjo rendje pas parasë është mëkat”. Duke
u ndalur në atë pjesë të Mesazhit, ku Papa flet për korregjimin vëllazëror, kardinali
Sarah theksoi se Kisha nuk mund të heshtë pra tragjedisë së sa e sa vetëve, që vdesin,
sepse u mungon edhe minimumi i nevojshëm, ndërsa të tjerë pasurohen duke i shfrytëzuar.
Kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum” vuri në dukje se rrënjët e padrejtësive e të
individualizmit janë në refuzimin e Zotit: “Kjo shoqëria jonë e shekullarizuar
ka arritur të jetojë e të organizohet, pa marrë parasysh Zotin, ngaqë është përfshirë
prej një varfërie më tragjike se ajo materiale, një varfëri e përfaqësuar nga refuzimi
dhe përjashtimi i plotë i Zotit nga jeta shoqërore dhe ekonomike, nga revolta kundër
ligjeve hyjnore e kundër atyre natyrore”. Por kjo shoqëri, vazhdoi kardinali
Sarah, mund të shkundet nga dëshmia ungjillore e besimtarëve e sigurisht, edhe të
preket nga bamirësia e të krishterëve ndaj të varfërve. Nganjëherë, vërejti kardinali,
ndërhyrja e Kishës shihet me dyshim, si dëshirë e saj për pushtet: “Jo: Kisha
shtyhet nga kujdesi i sinqertë për të mirën e njeriut e të kësaj bote. Veprimi i saj
nuk frymëzohet nga dënimi, ose paditja, por nga ajo drejtësi e dhembshuri, që duhet
të ketë edhe guximin për t’i quajtur gjërat me emrin e vet”. Si dëshmi për
këtë, kardinali Sarah përmendi faktin se ofertat për bamirësinë e Papës nuk janë pakësuar
e pikërisht duke përdorur ato, në Haitin e shkatërruar nga tërmeti, po ndërtohet një
shkollë dhe një qendër famullitare. Së shpejti, zv.sekretari i Këshillit Papnor “Cor
Unum”, mons. Segundo Tehado, ish-kreu i Karitasit të Shqipërisë, do të shkojë për
vizitë në ishullin karaibik për të ndjekur punimet.