2012-02-07 13:56:16

Do të paraqitet në Romë vepra “Liturgjia Hyjnore dhe Java e Madhe”, me autor don Paskuale Ferraro.


Të shtunën, më 18 shkurt, në orën 17, në Via dei Greci 46, Romë, arbëreshë e shqiptarë do të mblidhen përsëri, për të marrë pjesë në paraqitjen e një libri të ri, sa të nevojshëm, aq me vlerë. Vëllimi, i përgatitur nga don Paskuale Ferraro, titullohet: “Liturgjia Hyjnore dhe Java e Madhe”.
Është një përpunim muzikor i temave popullore dhe këngëve kryesore të Liturgjisë së Ritit Bizantin, që vijojnë të përdoren në kishat katolike të arbëreshëve të Italisë, të cilave u përket meshtari-muzikant.
Pjesët e zgjedhura janë kompozuar me katër zëra të ndryshme, duke të krijuar një harmoni krejt të re për këtë gjini, posaçërisht për zonën greke e jug ballkanike, prej nga vijnë këngët.
Autori synon ta edukojë veshin e dëgjuesit për t’i shijuar meloditë e lashta, karakteristike për arbëreshët e emigruar në Itali, që nga Moti i Madh. E ndonëse që asokohe kanë kaluar më se 500 vjet, ata ruajtën kulturën, doket e ritet lindore të të parëve.
Është një ndihmesë me vlerë, kjo që sjell Don Paskuale, e jo vetëm për arbëreshët, por edhe për mbarë Kishën në Itali e cila duhet të përballojë një valë shkëmbimesh ndërkulturore dhe ekumenike, për shkak të dyndjes së emigrantëve nga Evropa lindore.
Kjo përmbledhje ndihmon jo vetëm për përtëritjen shpirtërore në bashkësitë e ritit bizantin, ku muzika zë kryet e vendit gjatë kremtimeve, por edhe për mikpritjen e emigrantëve që, duke pasur të njëjtat rite e të njëtat tradita, e ndjejnë veten në kishë, si në shtëpinë e tyre.
Fondacioni Migrantes i Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe Famullia e Shën Nikollës në Leçe, që kontribuan për shtypjen e vëllimit, urojnë që këto tekste muzikore të përdoren me fryte shpirtërore e t’i hapin udhën autorit për botimin e librave të rinj, në nder e lavdi të Zotit e në ndihmë të besimtarëve të cilët, të prekur në shpirt nga muzika, ta pasurojnë jetën e tyre shpirtëore.
Vëllimi shoqërohet me një CD, në të cilin janë regjistruar pjesët muzikore, luajtur nga Kapela Ludovicea e Romës, me drejtor orkestre, Mjeshtrin Ildebrando Mura.

Për këtë vëllim, në takimin e 18 shkurtit, do të flasin Arkimandriti, Profesor Manel Nin, rektor i Kolegjit Papnor Grek, i cili do të mbajë një kumtesë, titulluar “Roli i muzikës në Liturgjinë bizantine”, pasuar nga Protopapàs Nik Paçe, famullitar i Kishës bizantine të Shën Nikollës së Mirës, në Leçe të Italisë. Kumtesa e Don Nikut titullohet “Impenjim i ri për interpretimin e muzikës së Kishës bizantine”
Në përfundim të kumtesave, të pranishmit do të ndjekin disa fragmente muzikore nën kujdesin e autorit.
Takimin do ta drejtojë profesor Domeniko Morelli.
Ftohen të marrin pjesë të gjithë dashamirët e muzikës e të kësaj Vatre, rreth së cilës nuk kanë pushuar s’u mbledhuri për të dëgjuar të rejat nga të gjitha fushat e jetës së Atdheut, arbëreshë e shqiptarë.
Kujtojmë se për Don Ferraron, ky nuk është libri i parë i kësaj natyre. Kapelani për Shqiptarët në Itali ka botuar, në ndihmë të besimtarëve të tij, edhe Librin “Lëvdojeni Zotin”, përmbledhje e këngëve kishtare, që shërbejnë për shoqërimin e kremtimit të Meshës Shenjte, pasuruar edhe me Rendin e Meshës me popull, në shqip e italisht. Libri tashmë është bërë i domosdoshëm për shqiptarët mërgimtarë, që mblidhen të dielave në Kishën romake të Shën Gjonit të Malvës, për të ndjekur Meshën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.