Benedikti XVI në Mesazhin e Krezhmëve: kujdesuni për njëri-tjetrin, pa u mbyllur në
vetvete
“Përballë një bote, që kërkon prej të krishterëve, dëshminë e përtërirë të dashurisë
e të besnikërisë për Zotin, të gjithë të ndjejnë urgjencën për të hyrë në garë bamirësie,
shërbimi e veprash të mira”: kjo është thirrja, që Papa Benedikti XVI u drejton besimtarëve
në Mesazhin e Krezhmëve, që u bë i njohur sot, gjatë një konference për shtyp në Vatikan.
Tema e mesazhit është marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve: “Të kujdesemi për njëri-tjetrin,
duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira” (Heb 10,24). Krezhmët, nënvizon
Ati i Shenjtë, janë kohë të përshtatshme për të reflektuar mbi zemrën e thelbin e
jetës së krishterë, që është dashuria e bamirësia. Papa e përfytyron këtë si një rrugë,
gurët kilometrikë të së cilës, janë lutja, bashkëndarja, lëmosha, heshtja, agjërimi
dhe pritja e gëzimit të Pashkëve. Duke analizuar fjalë për fjalë frazën e marrë nga
Letra drejtuar Hebrenjve, Papa shpjegon se ç’do të thotë për një të krishterë të marrë
përsipër përgjegjësinë edhe për vëllain e vet, ta dhurojë vetveten për të e të ecë
sëbashku me të drejt shenjtërisë, qëllimi i fundit i jetës së besimtarit. “Urdhëri
i madh i dashurisë për të afërmin – shkruan Benedikti XVI – kërkon e nxit vetëdijen
e përgjegjësisë për atë, që si mua, është krijesë e bir i Zotit: fakti, që jemi vëllezër
në humanitet e në shumë raste, edhe në fe, duhet të na bëjë ta shohim tjetrin si një
‘alter ego’, dashur pafundësisht nga Hyji. Nëse e ruajmë këtë vështrim vëllazërimi
- solidariteti, drejtësia, ashtu si edhe mëshira e dhembshuria, do të lindin natyrshëm
në zemrat tona”. Kujdesi për tjetrin, vazhdon Papa, do të thotë t’i duash atij, ose
asaj, të mirën në të gjitha aspektet: fizike, morale e shpirtërore. Çfarë e pengon
këtë? Shpesh pasuria materiale e barku plot, por edhe vënia e interesave vetjake mbi
ato të përgjithshme, parlajmëron Ati i Shenjtë, i cili kujton se takimi me tjetrin,
ndihma për të, janë raste, që e çojnë shpirtin e personit zemërdhembshur drejt shëlbimit
e lumnisë. Papa u kërkon besimtarëve të rikthehen në praktikën e të krishterëve
të parë, atë të këshillimit të mëkatarëve, pasi kjo do të thotë kujdes për shpirtin
e tjetrit, për të mos e lënë ta bjerrë atë përgjithmonë. “Nuk duhet heshtur para së
keqes – bën thirrje Benedikti XVI. Mendoj për sjelljen e atyre të krishterëve, që,
për respekt njerëzor, ose për leverdi, i përshtaten mendësisë mbizotëruese, në vend
që t’i paralajmërojnë vëllezërit për mendimet e veprimet, që kundërshtojnë të vërtetën
e nuk ndjekin rrugën e drejtë. Por – thekson Jozef Racinger – kritika e krishterë
nuk niset kurrë nga fryma e dënimit apo e paditjes: frymëzohet gjithnjë nga dashuria
e nga mëshira dhe rrjedh nga shqetësimi i vërtetë për të mirën e vëllezërve”. Dhurata
e reciprocitetit është këshilla tjetër e Papës. “Një shoqëri si ajo aktualja – denoncon
Benedikti XVI – mund të bëhet e shurdhër si ndaj vuajtjeve fizike, ashtu edhe ndaj
kërkesave shpirtërore e morale të jetës. Nuk duhet të jetë kështu bashkësia e krishterë!”
Nuk mund të jetojmë pa të tjerët, pasi jeta jonë është e lidhur me atë të vëllezërve,
në të mirë e në të keq. Si mëkati, thekson Papa, ashtu edhe veprat e dashurisë kanë
përmasa shoqërore. Vetëm së bashku mund të ecim drejt shenjtërisë. “Fatkeqësisht –
nënvizon Ati i Shenjtë – është gjithnjë i pranishëm tundimi për të qenë as i ngrohtë,
as i ftohtë, për ta mbytur frymën e Shpirtit Shenjt, për ta refuzuar përdorimin e
talenteve, që na janë dhuruar për të mirën tonë e të të tjerëve. Të gjithëve na janë
dhuruar pasuri shpirtërore e materiale, të dobishme për plotësimin e planit hyjnor,
për të mirën e Kishës e për shëlbimin personal”. Në fund, Papa i fton të krishterët
të hyjnë në garë për të treguar impenjimin e tyre në shërbim të të tjerëve dhe u uron
të gjithëve një kohë të frytshme Krezhmësh, që t’iua përgatisë sa më mirë shpirtin
për të pritur Pashkët e Shenjta, Ringjalljen e Krishtit.