2012-02-06 15:20:31

Simpozium në Universitetin Gregorian për abuzimet e klerit ndaj të miturve


Filloi sot në Universitetin Gregorian të Romës, simpoziumi me titull “Drejt shërimit e përtëritjes”, në të cilin marrin pjesë ipeshkvij katolikë e eprorë të urdhërave të ndryshme rregulltare, që po diskutojnë mbi çështjen e abuzimeve të disa anëtarëve të klerit ndaj të miturve. Simpoziumi do të përfundojë më 9 shkurt. Në të përfaqësohen mëse 100 konferenca ipeshkvnore e mëse 30 urdhëra rregulltarësh. Gjithashtu, janë të pranishëm dhjetë kardinaj e rreth 40 specialistë.
“Ky Simpozium – shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi – nuk është qëllim në vetvete, por kontribut i veçantë në kuadrin e udhës së ndërmarrë, për të vendosur mbi strategjinë e mëtejshme”. Pra, nga Universiteti Gregorian, ku po zhvillohet konferenca, duhet t’u arrijnë të gjitha Kishave lokale, direktiva dhe ide, që t’i ndihmojnë barinjtë e grigjës së Zotit të përballojnë çështjen dramatike të abuzimeve mbi të miturit e të mbrojnë viktimat. Ndër nismat, që do të fillojnë konkretisht në përfundim të takimit, është edhe hapja e Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, me seli në Munih, falë kontributit të “Papal Foundation”, i autorizuar drejtpërdrejt nga Benedikti XVI. Projekti parashikon që përmes internetit, të realizohet një platformë mësimdhënieje për lëndët e psikologjisë, pedagogjisë, teologjisë dhe së drejtës kishtare për të gjithë ata, që kanë punë me fëmijët në gjirin e Kishës. Qendra do të varet nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit Gregorian, në bashkëpunim me Klinikën psikiatrike për të miturit, në Universitetin e Ulmit, në Gjermani. Struktura do të punojë me tetë partnerë në të gjithë botën, në katër gjuhë: anglisht, spanjisht, italisht e gjermanisht.
Ndër relatorët e simpoziumit, edhe zonja Marie Collins, viktimë e abuzimeve, e cila do të dëshmojë mbi ndihmën, që mund t’u jepet personave si ajo nga Kisha. Parashikohet edhe një lutje pendestare, kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Oje, për t’u kërkuar falje viktimave të abuzimeve. Mbi përparësitë e këtij Simpoziumi dhe mbi udhën për të ndihmuar viktimat, intervistuam drejtorin e Institutit të Psikologjisë në Universitetin Gregorian, jezuitin, atë Hans Zollner:
Dimë se masa më e mirë është dëgjimi, dëgjimi i vuajtjes. Kjo po ndodh gjatë muajve të fundit në Irlandë, ku shkandulli i abuzimeve ndihet shumë në shoqëri e në Kishë. Kjo është kryesorja. Përveç kësaj, shumë vetë kanë marrë nga Kisha ndihmë për psikoterapi, ose për ndonjë lloj tjetër terapie; pastaj, dëmshpërblimi ekonomik, i cili tregon se Kisha merr përsipër përgjegjësinë për atë që kanë bërë shërbenjësit e saj.
Si sillet Kisha me ata që i kanë kryer këto abuzime e si duhet sjellë në përgjithësi?
Çdo njeri, që abuzon mbi tjetrin, duhet trajtuar sipas kapacitetit e sipas vetëdijes për atë, që ka bërë. Ka njerëz, që kanë abuzuar, por që nuk kanë treguar as kujdesin e as ndjeshmërinë më të vogël për viktimat dhe për gjestin e tyre; ka njerëz, vërtet të pakurueshëm e këta vetëm mund të mbyllen e të kontrollohen. Nuk është zgjidhje vetëm t’i largosh nga meshtaria, apo nga jeta e shuguruar, pasi nëse nuk ka kontroll, gjendja përsëritet. Sigurisht, ky është shkandull në gjirin e Kishës, por Kisha është edhe bashkësi mëkatarësh. Prandaj, Kisha nuk mund thjesht të distancohet e të largojë fajtorët, por duhet të ofrojë terapi të mundshme… Me disa funksionojnë, me të tjerë, shumë pak. Pra, duhet parë kapaciteti i njeriut, sa mundësi ka për ta kuptuar të keqen e për të reaguar ndaj saj.
Agresorët seksualë janë kudo në shoqëri, por në Kishë, njerëzit nuk hyjnë rastësisht. Meshtarët e rregulltarët e zgjedhin këtë rrugë, në të cilën ata pranohen, në një farë mënyre. Në kuadrin e parandalimit, a mund të vlerësohet nëse ka njerëz të prirur për këto lloj sjelljeje, apo jo?
Ka disa shenja shumë të qarta, që tregojnë se mund të kemi probleme lidhur me një personalitet pedofil. Psikologjia, ashtu si të gjitha njohuritë njerëzore, mund të gabojë: psikoterapia e psikiatria nuk janë shkenca ekzakte. Në pranimin për meshtari, kriteret duhet të jenë shumë të qarta, siç ka thënë kohët e fundit, edhe Kongregata për Edukimin Katolik: në zgjedhjen e kandidatëve për meshtarë duhet vërtet të kemi kritere shumë rigoroze.







All the contents on this site are copyrighted ©.