2012-02-06 17:31:41

Papa takohet me të rinjtë e Sermig. Themeluesi Olivero: Papa beson në ndihmesën e të rinjve për paqen.


Dje, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI priti, në Vatikan, një delegacion të Arsenalit të të rinjve për paqen (Sermig), kryesuar nga themeluesi, Ernesto Olivero dhe nga kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino. Gjatë takimit, Papës iu dorëzua çmimi “Mjeshtër i paqes”. Delegacioni i Sermig përbëhej nga të rinj torinezë, jordanezë, brazilianë e gjermanë. Ernesto Olivero i solli Benediktit XVI edhe përshëndetjen e kryeipeshkvit të Torinos, imzot Cesare Nosilia.
Kujtojmë se të shtunën e kaluar u anulua, për shkak të kohës së keqe, Takimi IV botëror i të rinjve të paqes, që do të mbahej në Sallën e Palit VI, me pjesëmarrjen e rreth 7 mijë të rinjve.
Mbi takimin e djeshëm me Papën, të dëgjojmë Ernesto Oliveron:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ati i Shenjtë shprehu keqardhjen, pse nuk mundi t’i priste 7-8 mijë të rinjtë e parashikuar, por njëkohësisht edhe kënaqësinë për takimin me disa prej tyre. Na bëri të emocionohemi fort, kur na siguroi se i kishte shoqëruar të gjithë me lutje, gjatë kapërcimit të vështirësive të motit, për të arritur në këtë takim kaq të dëshiruar. I dorëzova menjëherë Çmimin “Mjeshtër i paqes”, me këtë motivacion: “Benediktit XVI, zë që të çon në rrugën e së vërtetës, motër e paqes”. E Papa e priti me kënaqësi. Këtë çmim ia dorëzova edhe Giorgio Napolitanos, i cili pati mirësinë të më ngarkonte t’i përçoja Papës përshëndetjen e tij të përzemërt. Më pas ia paraqita Atit të Shenjtë të rinjtë e ai foli me secilin prej tyre. U gëzua, pastaj, kur mori vesh se edhe në Gjermani ka të rinj që e ndihmojnë Arsenalin e paqes.

Pyetje: - Mesazhi i Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes këtë vit i kushtohet pikërisht të rinjve, edukimit të tyre me frymën e paqes…

Përgjigje: - Ai e pa se jemi pikërisht në vijën e tij, se ecim në rrugën e mësimeve të tij. Do të nisemi, prandaj, përsëri nga mësimi, që na dha e nga besimi i madh, me të cilin i shikon të rinjtë.

Pyetje: - Ky takim ju jep shpresë të re…

Përgjigje: - Projektet e Sermig tashmë shtrihen në 140 kombe të botës. Prandaj Papa u ndal, për shembull, tek puna që po bëjmë në Jordani. Foli me përgjegjësen, Ariana Kazagrande, murgeshë. Ne e quajtëm “Arsenal i takimit”, sepse duam të hapim rrugë të reja, bazuar jo mbi fjalët, por mbi vuajtjet. Quhet “Arsenali i takimit” sepse duam të takohemi, përmes fëmijëve me kufizme fizike, myslimanë e të krishterë, në mënyrë që vuajtja të na bëjë ta shikojmë botën me sy të rinj. Ky është tipari kryesor i rrugës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.