2012-02-06 17:31:19

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: besimi në dashurinë e Zotit është përgjigjja e vërtetë për të fituar mbi të keqen.


Rinia e vërtetë është gjithnjë në shërbim të jetës, e besimi në dashurinë e Zotit, përgjigjja më e mirë për të fituar mbi të keqen. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Ditën që i kushtohej jetës.RealAudioMP3

Jezusi i shëron të sëmurët. I frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, Benedikti XVI kujtoi, në mënyrë të posaçme, pikërisht kushtet e vështira të jetës të të sëmurëve, kushte tipike njerëzore, në të cilat provojmë fuqimisht se nuk mund ta përballojmë të vetëm sëmundjen e se kemi gjithnjë nevojë edhe për të tjerët:
“Në këtë kuptim, mund të themi, me një paradoks, se sëmundja mund të jetë edhe çast shpëtimtar, sepse përmes saj mund të provohet vëmendja e të tjerëve e edhe mund të dhurohet vëmendje”.
Gjithsesi, sëmundja mbetet provë e rëndë, shtoi Papa, e mund të bëhet edhe e gjatë e e vështirë:
“Kur njeriu nuk shërohet shpejt e vuajtjet vijojnë gjatë, mund ta ndjejmë veten si të përhumbur, të izoluar, e atëherë na duket se jeta na shtyp nën peshën e sëmundjes”.
Si duhet t’i përgjigjemi këtij sulmi të së Keqes? Natyrisht, me mjekimet e përshtatshme, por edhe me një rrugë tjetër, më shpirtërore, nënvizoi Ati i Shenjtë, me të cilën mund t’i bëjmë ballë sëmundjes: është rruga e besimit. Por, në se duhet të kemi besim? pyeti Ati i Shenjtë, e edhe u përgjigj: “Në dashurinë e Zotit”:
"Ja përgjigjja e vërtetë, që e mund plotësisht të keqen. Ashtu si Jezusi i bëri ballë Djallit me forcën e dashurisë, që i vinte nga Ati, kështu edhe ne mund ta përballojmë betejën e provës e të fitojmë mbi sëmundjen, duke e zhytur zemrën tonë në dashurinë e Zotit”.
Të gjithë njohim, tha Papa, njerëz, që kanë duruar dhimbje të tmerrshme, duke ia besuar veten Zotit, i cili u dha paqe të thellë shpirtërore, edhe në mes përpëlitjeve të padurueshme trupore. Një ngushëllim të tillë hyjnor, mes dhimbjesh, provoi Kiara Badano, që u shua në lule të jetës, pa e humbur për asnjë çast besimin në Zotin. Madje gjeti forca për t’u dhuruar edhe të tjerëve dritë e besim. Në çaste kur ndjehemi keq, të gjithë kemi nevojë për ngrohtësinë njerëzore:
“… e, për ta ngushëlluar njeriun e sëmurë, më shumë se fjalët, vlen afërsia e ngrohtë dhe e sinqertë”.
Prej këndej, duke kujtuar Ditën botërore të të sëmurit, të shtunën e ardhshme, më 11 shkurt, Papa iu lut Zojës së Bekuar sidomos për njerëzit më të ligshtë e më të braktisur, që e vuajnë sëmundjen në vetmi të plotë.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi Ditën për Jetën, e cila nisi të kremtohet - kujtoi - për të mbrojtur jetën e fëmijës ende të palindur, e për t’u shtrirë, pastaj, në të gjitha fazat e kushtet e jetës njerëzore. Tema e sivjetme ishte “Të rinjtë, në mbrojtje të jetës”:
“Bashkoj zërin me barinjtë e Kishës në Itali për të pohuar se rinia e vërtetë realizohet në mikpritjen e jetës, në dashurinë për të, në shërbimin ndaj saj”.
Në përfundim Ati i Shenjtë i përgëzoi pjesëmarrësit në takimin e djeshëm, në Romë, organizuar nga Shkolla e mamive dhe e mjekëve gjinekologë të Universiteteve romake, mbledhur për të reflektuar mbi rrugët e promovimit dhe të mbrojtjes të jetës së fëmijës, që pret të dalë në dritë. Një përshëndetje e veçantë, për imzot Leucin, profesorët dhe të rinjtë. Përshëndeti edhe të gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, shtruar me qilimin e bardhë të dëborës së ngrirë, që vezullonte edhe mbi bredhin e Vitit të Ri, mbi Shpellën e Betlehemit e mbi Kupolën madhështore të Bazilikës, mbi të cilën ndriste fort, pa ngrohur aspak, dielli dimëror.
Pikërisht duke soditur peizazhin e bardhë, të akullt, krejt të pazakontë për këtë Shesh, Papa e mbylli takimin e djeshëm me një urim, të dëshiruar nga të gjithë romakët, që nuk janë mësuar me dëborë e ngrica:
“Është e bukur dëbora, por gjithsesi, shpresojmë të vijë sa më shpejt pranvera. Urime e të diele të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.