2012-02-04 17:41:19

Shenjtorët e Javës 5-12 shkurt, sipas kalendarit kishtar


Më 5 shkurt, Kisha kremton të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar e gjithnjë më 5 shkurt, kalendari përkujton edhe shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpëdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të hënën më 6 shkurt, kalendari shënon përkujtimin e shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe shën Dorotesë, virgjër e martire që na kujtojnë se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të martën më 7 shkurt, kalendari përkujton festën e shën Partenit, shën Rikardit e të Lumit Piu IX. Dishepujve që nuk arrijnë ta kuptojnë Jezusin, shën Marku ungjilltar i kundërvë ata njerëz, që e njohin menjëherë Krishtin dhe ngarendin drejt Tij, pasi e shihnin tek Ai “shpëtimin”. Ungjilli i kësaj dite na i hap sytë për të kuptuar se ku dhe çfarë duhet të shohim.

Të mërkurën më 8 shkurt, përkujtohen shën Jeronim Emiliani e shën Jozefina Bakita. Leximet e kësaj dite na mësojnë se ligjet rituale janë të rëndësishme e duhen respektuar, por nuk duhet të bëhen pretekst për të kapërcyer Urdhërimet e Tënzot. Kjo do të ishte hipokrizi.

Të enjten më 9 shkurt, kalendari kujton shën Apolloninë e shën Maronin. Ungjilli ikësaj dite na tërheq vëmendjen drejt faktit se edhe nëse gjërat e jashtme mund të na prishin, nuk duhet të harrojmë se problemi i vërtetë është brenda, në korruptimin e zemrës.
Të premten më 10 shkurt, përkujtohet shën Skolastika, virgjër, shën Silvani dhe i Lumi Alojze Stepinac. Ndërsa shumë ndjekës të Jezusit janë thjesht formalë e vërejnë edhe gjënë më të vogël që s’shkon, sjellja këmbëngulëse e gruas pagane shpreh karakteristikën thelbësore të fesë, që shpesh na mungon. Ungjilli i ditës, na fton pra të mos u japim tepër rëndësi rregullave e ligjeve, por zemrës së pastër.

Të shtunën më 11 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Leximet biblike na japin të kuptojmë se është i Lum e pra, i shëruar, ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon e na shtyn t’i thurim lavde veprave të Zotit. 11 shkurti është edhe Dita botërore e të Sëmurit.

Të dielën e ardhshme më 12 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e 6-të gjatë vitit e gjithnjë më 12 shkurt kalendari përkujton shenjtorët martirë të Abitenit dhe shën Benediktin e Anianit. Leximet e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikanit feston përvjetorin e themelimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.