2012-02-03 18:27:20

Irak: dënohen me vdekje terroristët e masakrës kundër të krishterëve në vitin 2010. Imzot Varduni: ne i falim.


Dje, në Bagdad, edhe selia e gjykatës së apelimit konfirmoi dënimin me vdekje, dhënë nga një gjykatë irakiane, për tre terroristë, akuzuar si shkaktarë të masakrës kundër të krishterëve në Kishën e Zojës së Çlirimit.
Më 31 tetor të vitit 2010, një grup kamikazesh hapi zjarr dhe u hodh në erë në kishën e kryeqytetit, duke shkaktuar vdekjen e 58 vetëve dhe plagosjen e 75 të tjerëve.
Në mikrofonin tonë, ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni, flet jo për dënimin, por për faljen e autorëve të krimit të shëmtuar në dëm të grigjës së tij:RealAudioMP3

Përgjigje: - Krishtërimi është për jetën, jo për vdekjen, prej këndej, parimet katolike nuk mund ta miratojnë dënimin me vdekje. Përkundrazi, mund të miratojnë vetëm faljen. Natyrisht edhe dënimin e fajtorëve, por jo me vdekje.

Pyetje: - Kujtimi i masakrës, që tronditi asokohe Bagdadin, a solli ndonjë ndryshim në ndjenjat e bashkësisë së krishterë irakiane?

Përgjigje: - U ndje si dënim për të gjithë, e prandaj ndikoi fuqimisht mbi emigrimin e të krishterëve. Natyrisht ishte një masakër tepër gjakatare, por ama nuk ishte e vetmja: kemi pasur edhe masakra të tjera: në ministri, në rrugë, në tregje, në kisha të tjera; nuk kanë munguar as vrasjet e meshtarëve, madje u vra edhe një ipeshkëv. Është tronditëse të kujtosh atë, që po jetojmë që nga viti 2003 e deri më sot. Posaçërisht ne të krishterët. Por jo vetëm ne.

Pyetje. - Shpresoni se së shpejti një situatë e tillë do të ndryshojë?

Përgjigje: - Po, shpresoj se e gjithë kjo do të ndryshojë, për hir të mëshirës së Zotit. Prandaj i lutemi Zotit të na japë paqen. Nuk duam tjetër. Iraku është shumë i pasur, nuk ka nevojë për forca të tjera, në se nënshtetasit e tij do të dinë të punojnë pa interesa personale, partiake e fetare. Interesa nga të cilat, pastaj, buron urrejtja, lufta. Kjo na mungon: zelli, heroizmi i krishterë për t’iu përgjigjur edhe urrejtjes me dashuri. Lutuni edhe ju, bashkë me ne, që mbarë Lindja e Mesme, Iraku e bota të jetojnë në paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.