2012-02-02 16:30:07

Shqiptarët e Italisë festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë


Ambasada e Shqipërisë pranë Shtetit të Italisë, në Romë, nis sot me 17 shkurt programin kremtues të Jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky Jubile i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka filluar të kremtohet në Shqipëri, në trojet shqiptare e tani edhe jashtë vendit nga diaspora e në Shtete të ndryshme. Kështu, edhe diaspora Shqiptare ne Evropë ka filluar me programe përkujtimore. Në mënyrë të veçantë janë angazhuar Ambasadat e Shqipërisë në vende të ndryshme.
Ne kemi në studio Ambasadorin e Shqipërisë pranë shtetit Italian me seli në Romë, Shkëlqesinë e tij Z. Llesh Kola, të cilin e falënderojmë e të cilit i kërkojmë: “Si e shënon Ambasada Shqiptare e Romës këtë jubile të rëndësishëm të Pavarësisë së Shqipërisë?”.......RealAudioMP3
“Faleminderit, Ambasada e Shqipërisë në Itali, në kuadrin e festimeve që bëhen për 100-vjetorin e Pavarësisë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, sepse duhet të theksojmë që Pavarësia e Shqipërisë është një moment historik, është një moment festiv që bëhet me shqiptaret dhe me miqtë e Shqipërisë, po festojmë bashkë me kombin tonë kudo që ndodhet në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, por dhe me miqtë tanë. Ambasada ka një projekt, ka një plan të detajuar për të festuar gjatë gjithë vitit dhe ne e fillojmë këtë në kryeqytetin e Italisë, në Romë, dhe Ambasada në bashkëpunim me Bashkinë e Romës do të festojë një muaj rresht me aktivitete të ndryshme të ndara me tema dhe me aktivitete si kulturore, artistike me ekspozita piktorësh shqiptarë, me tema për historinë e Shqipërisë, për Pavarësinë ë Shqipërisë, për integrimin e shqiptarëve në Itali, për rolin e arbëreshëve në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe me temën për Shqipërinë aktuale dhe mundësitë që ofron Shqipëria dhe turizmi shqiptar për të pritur turistë nga Italia dhe vende të tjera.
R.V. “Zoti Ambasador, ju keni pasur në program që të shtunën e kaluar të nisni këtë program jubilar, por për shkak të motit të keq dhe dëborës që pushtoi Romën dhe në një farë mënyre paralizoi sigurisht e keni shtyrë këtë program. Si u prit nga shqiptarët dhe nga romakët e nga italianët programi juaj, kjo shpalosje e faqes sigurisht ndër më të lavdishmet të historisë së kombit shqiptar që është shpallja e Pavarësisë, 100-vjetori i saj?
“Unë mendoj se është pritur shumë mirë, sepse ne akoma s’kemi filluar. Për fatin e keq ne kishim filluar në bashkëpunim me muzeun e Civilizimit Romak, me Bashkinë e Romës, për ta hapur serinë e aktiviteteve në 4 Shkurt, por koha është një fuqi madhore që bllokoi të gjitha institucionet, bllokoi lëvizjet, bllokoi aktivitetet, dhe ne jemi të detyruar ta spostojmë këtë fillim aktivitetesh në datën 17 shkurt, të premten mbasdite. Mendoj që përfshirja e të gjithë insitucioneve qëndrore, lokale, Bashkisë së Romës e shoqatave të shqiptarëve, të arbëreshëve, të studiueseve, të miqve tanë por edhe të shqiptarëve që jetojnë në Itali tregon që ky element fesiviteti i ka përfshirë të gjithë dhe ka një entuziazëm nga të gjithë. Entuziazmi është për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të festuar Shqipërinë aktuale. Ku është ajo sot mbas 100 vjetësh, me arritjet dhe me elementet që ne do të çojmë përpara atdheun tonë, vendin tonë dhe kombin tonë”
R.V. “Mund t’i përmendni për dëgjuesit e Radio Vatikanit disa nga këto argumente apo programe që më tepër sipas jush nënvizojnë, në një anë rëndësinë e 100-vjetorit të Pavarësisë, dhe në anën tjetër edhe identitetin dhe drejtimin që ka ndërmarrë Shqipëria demokratike për të vijuar udhën e saj?”
“Në programin që ne kemi detajuar, ju e keni marre dhe jeni ftuar edhe si Radio Vatikani, në ditën e parë ne do të bëjmë një hapje zyrtare në bashkëpunim Bashkinë e Romës dhe organizatorët. Është ftuar drejtoresha e përgjithshme e Arkivave të Shtetit për të ofruar dokumente origjinale dhe foto nga momenti i Shpalljes se Pavarësisë dhe do të jetë një moment shumë i mirë. Do të ndiqet me ekspozitën 100-vjet Shqipëri e Pavarur dhe një kumtesë të saj. Do të ketë një ekspozitë fotografie “Të zbulosh Shqipërinë” e bërë nga studentët shqiptarë në Bolonjë. Do të kemi një tjetër ekspozitë fotografike me artistin e shquar Alket Islami “Shqipëria e parë nga ajri”. Janë albume të shquara të cilat janë përkthyer në një ekspozitë të tijën. Do jetë një ekspozitë kolektive e 17 piktorëve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe mendoj që fakti më kuptimplotë, që të gjithë këto aktivitete ne do t’i zhvillojmë në Muzeun e Civilizimit Romak, ku do të jenë inkorporuar ekspozitat tona, aktivitetet tona në lashtësinë romake. Besoj që kjo është edhe rëndësia e saj, që Shqipëria vjen me 100-vjetorin, vjen me aktivitetet e saj, vjen me të gjitha elementet e festivitetit në një muze historik në qytetin e përjetshëm dhe ky është një shërbim që i bëjmë ne vendit tonë në këtë festë. Është një sherbim që i bëjmë imazhit tonë, por është edhe një element pozitiv që ne i japim si përfaqësi diplomatike në funksion të rritjes së imazhit nëpërmjet aktiviteteve dhe kapaciteteve integruese që kanë shqiptarët dhe artistët ne Itali. Javët e tjera janë të konceptuara me aktivitete të tjera, me koncerte. Është i ftuar artisti i mirëshquar Mirush Kabashi i cili do të recitojë për Shqiptarët dhe Italianët elemente të poezive dhe të epikave patriotike shqiptare në histori. Janë roli i shqiptarëve dhe arbëreshëve në bashkimin e Italisë, por edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë, me një fokus të veçantë Pasquale Scuro-n dhe shumë elemente të tjerë. Është parashikuar një aktivitet për procesin integrues të shqiptarëve në këto 20 vjet. Unë i kam deklaruar në këtë radio festimet që ka bërë Ambasada, festimet që kanë bërë shqiptarët dhe shoqatat e shqiptarëve në Itali për 20-vjetorin e integrimit, e ardhjes së tyre në Itali dhe procesin e tyre integrues, i cili është njohur nga të gjitha institucionet italiane, nga populli italian si një histori suksesi. Ne jemi të lumtur, sepse kjo shërben jo vetëm si një komunitet i integruar, por edhe si një urë për marrëdhëniet me Italinë. Dhe në mbyllje, në emër të arritjeve simbolike që Shqipëria ka patur gjatë këtyre 20 viteve demokraci, ne kemi organizuar në bashkëpunim me Ministrinë tonë të kulturës edhe një ditë për turizmin, për mikpritjen Shqiptare dhe për realitetet shqiptare me titull “Shqipëria ju mirëpret”.
R.V. “Zoti Ambasador, duke ju falënderuar për këto njoftime, 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë na kujton arritjen madhore, vendimtare, pikërisht pavarësinë e vendit nga pushtimi Osman, pastaj ashtu sikur theksuat edhe më parë historinë aktuale. Duke u ndalur në historinë e sotme nuk mund të mos kujtohet ai ngërçi i diktaturës komuniste që në një farë mënyre ishte faqja më e vrazhdë e kësaj pavarësie që populli shqiptar e meritoi por mjerisht nuk arriti t’a gëzojë si e sa duhet si kombet e tjera për shembull siç është Italia etj. Pra çfarë duhet të nënvizohet më tepër nga ky jubile?
“Unë e theksova dhe në fillim që ne festojmë 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, por duhet të kujtojmë që këto 100 vjet nuk kanë qenë të lehta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne kemi kaluar regjime mbas regjimesh, pushtime, por më i hidhuri ka qenë regjimi komunist, të cilin ne, me këto vite demokraci, duhet të theksojmë që e kemi lënë mbrapa. Por ne duhet të kurojmë edhe mentalitetin e ndërtimit të një shteti funksional, ligjor dhe të zhvilluar për vendin dhe për kombin, sepse aspirata jonë është për t’u integruar sot, siç jemi integruar në NATO, edhe në familjen evropiane që është familja më e zhvilluar dhe më e civilizuar. Për të gjithë ne, ky moment duhet të jetë me mend për t’u festuar dhe për t’u angazhuar që të shkojmë përpara të gjithë si komb, si institucione, sepse Evropa neve na pret, por na pret duke qenë si evropianë, duke qenë të zhvilluar.
R.V. “Shoqëria e re shqiptare ka trashëguar shumë dukuri negative nga regjimi monist dhe ateist që ishte komunizmi. Ka ndeshur në probleme të tjera negative që ka trashëguar nga ndeshja me shoqërinë demokratike evropiane, por në anën tjetër fatbardhësisht janë ruajtur shumë vlera që as komunizmi, as pushtimi osman nuk arriti t’i çrrënjosë, nga shpirti, zemra, nga vatra familjare shqiptare që e kanë mbajtur, ruajtur e kultivuar identitetin kombëtar edhe atë shpirtëror, edhe atë fetar. Sot, çfarë duhet të nënvizohet, cilat janë ato sfida që duhet të përballojë si shtet por edhe si shoqëri realiteti i ri shqiptare?
“Unë mendoj që duhet të fillojmë nga shoqëria. Shoqëria duhet të përballojë sfidat e mentalitetit. Duhet një mentalitet i ri, të qenit bashkëkohor, evropian i të gjithëve, shoqëria bashkë me klasën politike që është një element social. Elementi i dytë është shteti. Duhet të bëjë më shumë për të bindur shoqërinë, për të bindur faktorin ndërkombëtar në rrugën tonë që kemi, të vetme, unike, e dëshiruar nga të gjithë, nga shoqëria, nga institucionet dhe nga vetë shteti: Integrimin e plotë në strukturat evropiane. Mentaliteti nuk është i lehtë për t’u kuruar. Shqipëria ka bërë shumë ndryshime, shumë hapa përpara, por nuk mund të themi që kemi bërë gjithçka. Kemi shumë për të bërë dhe bashkë mund t’i bëjmë të gjitha. Ne duhet të ulim, mendoj unë, armët e luftës politike për interesat tona kombëtare, për interesat tona të integrimit dhe duhet të pasurojmë shpirtin tonë me elemente më të mëdha dashurie për njëri-tjetrin, civilizimi për t’u prezantuar me një imazh më të mirë në shoqëritë, brenda nesh, por edhe më shumë në shoqëritë perëndimore, atje ku duam të shkojmë.
R.V. “Nga veprimtaria juaj diplomatike me popullin italian dhe në anën tjetër edhe me diasporën shqiptare në Itali. Këtu Shqiptarët sa kanë arritur të integrohen, ose të përvetësojnë ato vlera që ofron shoqëria demokratike italiane dhe ajo evropiane dhe t’i gërshetojne këto vlera me vlerat personale që janë tipike shqiptare?”
“Nuk mund të them se ka perfeksion, por jam i bindur emigracioni është pararoja e proceseve tona integruese. Fakti që ky imigracion është mirë integruar në Itali, jeton, punon dhe shërben si urë lidhje për të ndihmuar familjen, për të ndihmuar Shqipërinë dhe për të ndihmuar vendin është baza më e mirë për të konfirmuar këtë. Me tej, ka edhe dy anë të një monedhe: kjo është medalja që shqiptarët japin në procesin e tyre integrues. Kur shoh sa solidarë janë shqiptarët me njëri-tjetrin, sa bashkëpunëtorë janë ata me shoqatat dhe si komunitet shqiptar mendoj se duhet të bëjmë më shumë, sepse procesi i tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për të mirën e tyre të përbashkët mendoj se ka më shumë për të bërë.”
R.V. “Atëherë me këtë urim, me këtë shpresë, ne ju falënderojmë, ju urojmë përgëzime për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe suksese në misionin tuaj diplomatik”
“Suksese u uroj të gjithë shqiptarëve që janë në Itali dhe i ftoj të gjithë të festojmë bashkë dhe të festojmë që në 200-vjetorin tjetër Shqipëria të jetë shumë më e zhvilluar dhe shumë më e përparuar se sot.”

Po kujtojme se në faqe të internetit të Ambasadës së Shqipërisë pranë Italisë, në Romë, është botuar programi i ditës së sotme që përuron aktivitetet që janë organizuar për Jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

'Vendi përballë - Shqiptarët e Italisë festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë', ditën e premte, 17 shkurt 2012, Museo della Civiltà Romana Piazza Giovanni Agnelli, 10 – Romë

Të nderuar zonja dhe zotërinj,


Kemi kënaqësinë t'ju njoftojmë se muaji i kulturës shqiptare në qytetin e përhershëm do të fillojë ditën e premte, më 17 shkurt 2012, në orën 16.00, me inaugurimin e ekspozitave të pikturës, fotografike dhe dokumentare, me Konferencën "100-vjetori i Pavarësisë dhe 150-vjetori i Bashkimit të Italisë. Roli i Arbëreshëve Pasquale Scura e Terenzio Tocci", si edhe shfaqjen e dokumentarit "Shqipëria - Vendi Përballë" i Roland Sejkos.

Ju mirëpresim në Muzeun e Qytetërimit Romak, Piazza Giovanni Agnelli 10 (zona EUR).

“Vëndi Përballë - Shqiptarët e Italisë kremtojnë 100 vjetorin e Pavarësisë”
17 shkurt-3 mars 2012
Muzeu i Qytetërimit Romak, Piazza Giovanni Agnelli, 10 – Roma

E premte 17 shkurt 2012 Ora 16.00 - 18.00
Përshëndetje e organizatorëve dhe autoriteteve shqiptare dhe italiane. Prezantim i programit dhe inaugurimi i ekspozitave të cilat do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë muajit.
“Shqipëria mbush 100 vjet! Dokumentet që bënë historinë”.
Takim me znj. Nevila Nika, drejtore e Arkivit Qëndror Shqiptar.
“100 vjet Shqipëri e pavarur” material i Arkivit të Shtetit, prezantuar nga Drejtoresha e Arkivit Qëndror të Shtetit.
“Të zbulosh Shqipërinë” - Ekspozitë fotografike nën kujdesin e Shoqatës “USAB”
"Albania from the air" video dhe ekspozitë fotografike nga Alket Islami.
Ekspozitë kolektive e piktorëve Alfred Mirashi (Milot), Agim Sulaj, Arta Ngucaj & Arben Beqiraj, Frederik Ivanaj, Armand Xhomo, Orenada Dhimitri, Anila Zajmi-Katanolli, Gëzim Mehmeti, Anila N. Zajmi, Alban Berberi, Anxhela Hoxhalli e Lori Lako, Xhovalin Delia, Parlind Perloshi, Albert Dedja, Agim Hajzëri, Anila Shapalaku.

“150 Vjetori i Bashkimit të Italisë dhe 100 vjetori i Rilindjes Shqiptare. Roli i Arbëresheve Pasquale Scura e Terenzio Tocci”. Marrin pjesë Ambasadori Llesh Kola, Deputeti Cesare Marini, Ambasadori Mario Bova, Kryetari i Bashkisë Aldo Marino, gazetari i njohur Gian Antonio Stella, historiani Francesco Fabbricatore, Maria Assunta Iole, Terenzio D'Alena. I ftuar nderi Ambasadori i Kosovës, Albert Prenkaj. Nën kujdesin e Komunës arbëreshe të Vakaricit (Vaccarizzo Albanese).

Ora: 18.00 - 20.00
"Shqipëria vendi përballë" – projektim i dokumentarit dhe debat me regjisorin Roland Sejko. Salla “Planetario”
Nga rënia e perandorisë otomane deri në Luftën e Parë Botërore, nga Mbreti Zog deri në pushtimin italian te Shqipërisë, nga diktatura e Enver Hoxhës deri në rënien e komunizmit. Ky dokumentar rindërton për herë të parë historinë e Shqipërisë të viteve ‘900, nëpërmjet imazheve të arkivave më të mëdhenj kinematografikë të institutit “Luce” të sjella në art nga regjisori shqiptar Roland Sejko.

E enjte 23 shkurt ora 16:00-19:00

“IntegAzione” - Ekspozitë fotografike e fotografit Vittorio Arcieri, nën kujdesin e Shoqatës "Integra" Onlus

“Shqiptarët 20 vite më pas”
Me pjesëmarrjen e:
Franco Pittau, Rando Devole, Darien Levani, Aldo Renato Terrusi e Alessandro Leogrande, Keti Bicoku, Edmond Godo.
Nën kujdesin e Gazetës “Bota Shqiptare”

E shtunë 3 mars 2012 Ora 16.00 - 19.00
“Shqipëria turistike ju mirëpret”
Takim me operatorët turistikë Francesca Toscano & Eni Cici nën kujdesin e Ejona Milano.
Marrin pjesë Ministri Shqiptar i Turizmit Kultures Rinisë dhe Sporteve dhe i Deleguari i Kryetarit të Bashkisë së Romës për turizmin.
“Territori i Shqiperisë së sotme në organizimin e perandorisë midis Lindjes dhe Perëndimit” - Relacion i Av. Enrico Silverio, anëtar i Komisionit Sport Kulturë i Këshillit të Dhomës së Avokatëve të Romës.
Koncert poetik me repertor patriotik e lirik të rilindasve tanë (Gj. Fishta, N. Frashëri, V.Prendushi, Çajupi, M.Kuteli) dhe Nënë Tereza, nga Mirush Kabashi, Artist i Merituar.
Përformancë artistike e Xhovalin Delia (video) dhe Aleksandër Gashi (piano).
Mbyllja e muajit të kulturës. Përshendetjen e organizatorëve .
Bufe karakteristike shqiptare.

Organizatorë:
Ambasada e RSH në Romë
Bashkia e Romës
Gazeta Bota Shqiptare dhe Shqiptariiitalise.com
Këshilli Qytetar për Emigracionin – Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar Edmond Godo.
Me bashkëpunimin e :
Arkivi Qëndror Shqiptar, AQSh
Shoqata e studentëve "USAB"
Shoqata e studentëve "ASUF"
Shoqata "Integra" Onlus
Shoqata Ejona Milano
Komuna Vaccarizzo Albanese
Albanian Destination
Me mbështetjen e :
Adria Ferries dhe Frittelli Maritime Group
Ansaldo T&D, Toshiba Group Company

Belleair
Fondazione Roma Mediterraneo







All the contents on this site are copyrighted ©.