2012-02-02 16:58:33

Në Paraqitjen e Jezusit në Tempull, Papa u kërkoi rregulltarëve të dëshmojnë Krishtin e t’i plotësojnë si duhet detyrat


Në Solemnitetin e sotëm të Paraqitjes së Jezusit në Tempull, Dita e 16-të e Jetës së Shuguruar, Papa Benedikti XVI u kërkoi rregulltarëve të dëshmojnë Krishtin e t’i plotësojnë si duhet detyrat, që kanë në bashkësinë e krishterë. Ati i Shenjtë kremtoi Mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e rregulltarëve e të murgeshave, që e kishin mbushur kishën plot e përplot.
Në fillim të homelisë, me penelata të shpejta, Papa përshkroi tabllonë e festës. 40 ditë pas lindjes së Jezusit, shën Maria e shën Jozefi, duke iu bindur ligjit hebraik, shkojnë në Jeruzalem për t’ia ofruar birin e tyre Zotit. Ky gjest pritet me admirim të jashtëzakonshëm nga Simoni i moshuar e nga profetesha Ana, të cilët shohin në atë fëmijë, Mesinë e shpallur nga profetët. Duke iu referuar këtij episodi ungjillor, Benedikti XVI theksoi:RealAudioMP3
“Në ditën, në të cilën Kisha kujton paraqitjen e Jezusit në Tempull, kremtohet edhe Dita e Jetës së Shuguruar. Vërtet, episodi ungjillor përkatës është një ikonë domethënëse e dhurimit të jetës, nga ana e atyre, që janë thirrur të riparaqesin para Kishës e para botës, përmes zbatimit të këshillave ungjillore, tiparet karakteristike të Jezusit, virgjër, i varfër e i bindur, i Shuguruari i Atit Qiellor. Prandaj, në festën e sotme kremtojmë misterin e shugurimit: shugurim i Krishtit, shugurim i Marisë, shugurim i të gjithë atyre, që ndjekin Jezusin në hir të dashurisë për Mbretërinë e Zotit”.
Por cili është qëllimi i kësaj dite, që Kisha ia kushton veçanërisht atyre, të cilët kanë vendosur të jetojnë vetëm për Hyjin, duke u shërbyer përvuajtërisht të gjithë njerëzve? Duke cituar të Lumin Gjon Pali II, që e pati kremtuar për herë të parë në vitin 1997, Papa Racinger vuri në dukje disa aspekte të Ditës së Jetës së Shuguruar:
“Para së gjithash, ajo dëshiron t’i përgjigjet nevojës për t’i thurur lavde e për të falenderuar Zotin për dhuratën e kësaj jete, që i përket shenjtërisë së Kishës… Përveç kësaj, synon të vlerësojë gjithnjë e më shumë dëshminë e atyre, që kanë vendosur të ndjekin Krishtin përmes zbatimit të këshillave ungjillore e duke nxitur njohjen e vlerësimin e jetës së shuguruar në Popullin e Zotit… Së fundi, kjo Ditë është rast i çmuar për të përtërirë kushtet e për të gjallëruar ndjenjat, që frymëzojnë dhurimin e vetvetes për Zotin”.
Ati i Shenjtë kujtoi se me rastin e 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, ka shpallur Vitin e Fesë, i cili do të fillojë në tetor të 2012-ës. Ai i ftoi rregulltarët e murgeshat që, duke ndjekur edhe direktivat e eprorëve e të Kongregatës së tyre, ta përjetojnë këtë vit si rast për të përtërirë vlerat thelbësore të jetës:
“Në Vitin e Fesë, ju, që keni pranuar thirrjen për të ndjekur Krishtin më nga afër… duhet t’i thelloni edhe më shumë marrëdhëniet me Zotin. Këshillat ungjillore, të pranuara si rregulla të vërteta të jetës, e përforcojnë fenë, shpresën dhe dashurinë, të cilat ju bashkojnë me Zotin… Shën Maria Virgjër, dishepulle, shërbëtore e nënë e Zotit ndërhyftë pranë Jezusit që ‘të gjithë ata, të cilët kanë marrë dhuratën për ta ndjekur në jetën e shuguruar, të dinë ta dëshmojnë me jetën e tyre të shndërruar, duke ecur me gëzim me vëllezërit e motrat e tjera drejt atdheut qiellor e drejt dritës, që nuk perëndon kurrë’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.