2012-02-01 19:07:50

Tundimi i sprasëm i Kastros: “I sëmurë rëndë, afrohet me Zotin”.


Tundohet fort Kastro. As familjarët e fëmijët, sidomos Alina, vajza e tij e vetme, që ka shkruar një libër për Fidelin, nuk mund ta fshehin. E as Kisha, si ajo kubane, ashtu edhe ajo e Romës, nuk mund e as nuk duan ta fshehin.
E dinë, ndonëse nuk e thonë haptazi. Por kthimi i Fidel Kastros në rrugën e Zotit, pasi e kaloi gjithë jetën si ateist militant, pranimi i fesë, pas shkishërimit nga Gjonit XXIII më 3 janar 1962 , mund të jetë dhurata më e lartë e vizitës së ardhshme të Benediktit XVI në Kubë, në fund të marsit.
Kohët e fundit – pohon Alina - Fidel Kastro ndjehet gjithnjë më afër fesë. Në prag të vdekjes, ka filluar të flasë për Krishtin. E kjo nuk më çudit aspak, duke menduar se babai u edukua nga jezuitët”. Thua e nxit frika nga vdekja ish-diktatorin të afrohet tek Zoti, i cili është atje, ku është liria? Nuk e dimë në se është frikë, apo diçka tjetër. Por jemi të bindur se sot atij i intereson më shumë fati i shpirtit të vet, se fati i Kubës.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit po punon për shtegtimin e Papës e tashmë është botuar edhe programi i tij, nga 23 deri më 29 mars, më parë në Meksikë, pastaj në Kubë. Me hollësitë e këtij programi mund të njiheni, duke hapur faqen tonë të internetit.
Mos kërkoni më kot në program, një takim të mundshëm të Papës Racinger me Fidel Kastron, si ai i 1998-tës ndërmjet Papës Vojtila e Komandantit të asokohshëm. Nuk do ta gjeni. Por diplomacia e Vatikanit nuk e përjashton këtë mundësi. Asokohe, para Gjon Palit II, Lideri kuban e zhveshi uniformën e tij ushtarake e i doli para Papës me kostum e kravatë, duke e pritur me gjithë nderimet e mundshme qysh në çastin kur shkeli në tokën e Ishullit,
Sot Fideli, 85 vjeç, në prag të vdekjes, mund të shtyhet edhe më tutje.
Njerëzit e Selisë së Shenjtë, që punojnë mbi dosjen kubane, ndonëse tejet të rezervuar, janë gati për çdo lloj skene.
Fideli – shpjegon në një dhomë të heshtur një nga personalitetet e nivelit të lartë të Vatikanit - është shumë afër fundit. Edhe thirrjet e tij në gazetën komuniste Granma, janë shumë më të rralla. Dihet nga të gjithë që kohët e fundit po i afrohet gjithnjë më tepër fesë e Zotit. Është e vërtetë se më 1963 u shkishërua nga Papa, por asokohe kjo ishte një masë pothuajse automatike për të gjithë komunistët. Domethënë, kush ishte kumunist, përjashtonte veten nga radhët e besimtarëve, sepse komunist do të thotë ateist. Ateizmi është pjesë e rëndësishme përbërëse e ‘besojmës’ që Marksi u mësoi ithtarëve të tij.
E përsërisim: nuk parashikohet ndonjë takim ndërmjet tij e Atit të Shenjtë. Por, në çastin kur Papa do të takohet me familjen e Kastros, nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe ai vetë i pranishëm. Ndonëse nuk është e lehtë, sepse tashmë lëviz me vështirësi. Thuhet edhe se Kuba po përgatit një strukturë shëndetësore për ta lehtësuar këtë takim.
Thua është e mundur, që Bota ta shikojë edhe këtë çudi? Të shikojë Komandatin Kastro duke iu drejtuar Papës si mëkëmbës i Zotit mbi tokë, duke i kërkuar ngushëllim e ndjesë, para se të kërkojë ndjesë dikund tjetër?
Ndoshta. Po bota tashmë nuk çuditet nga asgjë. Nuk do të çuditet, prandaj, as për një takim të tillë. Por ndërkaq nuk mund të mos meditojë, në se Fideli do t’i flasë Papës si Mëkëmbës i Krishtit, e Papa do të jetë gati ta dëgjojë.
Këto janë vetëm fjalë, apo brenda tyre ka një të vërtetë që, ndoshta-ndoshta Komandanti ateist i djeshëm, mund t’ia ketë rrëfyer një prifti të ri, që shkon vazhdimisht ta takojë?
Kuba pret me entuziazëm Benediktin XVI. Kisha në vend duhet e respektohet. E respekton edhe qeveria për veprimtarinë e saj të paçmuar shoqërore.
E në se respektohet Kisha, s’ka si të mos respektohet Papa e, doemos, Zoti, para gjyqit të të cilit do të paraqiten një ditë të gjithë sundimtarët e kësaj bote.
Fidel Kastro sapo i ka mbushur të 85-at; Papa Racinger do t’i mbushë në prillin e ardhshëm. Element tjetër për meditim, ky.
Ndërsa Kisha, me histori mijëveçare, ndërmjet shumë virtytesh, ka edhe aftësinë për të pritur, për të duruar. E një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: “I duruari, i fituari”.







All the contents on this site are copyrighted ©.