Sulm i ekstremistëve hinduistë në një Kolegj jezuit në Indi. Një dëshmitar denoncon:
u lanë të lirë të veprojnë
Shteti i Karnatakës, në jug të Indisë, qe pak ditë më parë, teatër i një episodi të
ri intolerance kundër të krishterëve. Një grup ekstremistësh hinduistë sulmuan Kolegjin-Lice
të jezuitëve “Shën Jozefi”, duke plagosur disa studentë. Pas ngjarjes së 27 janarit,
qëndronte akuza se Kolegji nuk e kishte ngritur flamurin kombëtar, në Festën e Republikës.
Arsye, që natyrisht, jezuitët e konsiderojnë pretekst. Arritëm të lidhemi me njërin
nga seminaristët e rinj indianë, që ndodheshin në institut atë ditë. Të dëgjojmë dëshminë
e Travin Kumard: Ajo që ndodhi më 27 janar ishte vërtet shokuese, për të gjithë,
por sidomos për jezuitët. Ata janë në Anekal që prej disa vitesh. Liceun e hapën në
vitin 2010. Edhe para këtij sulmi, ekstremistët hinduistë vinin shpesh në Kolegj për
të kërkuar para dhe për t’i nxitur nxënësit të bashkoheshin me ta. Që në vitin 2010,
famullia e jezuitëve është sulmuar, po ashtu, edhe qyteti i studentëve. Si
reagojnë autoritetet para dhunës, para persekutimit të të krishterëve? Reagimi
është zero: qeveria jonë, këtu e në nivelin e shtetit, është në duart e Partisë “Bharatiya
Janata”, që në të vërtetë është grup ekstremist. Prandaj, nuk ka pasur asnjë reagim
nga ana e autoriteteve. Ata e lanë turmën të merrte ç’të donte. Cilat janë
marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë së krishterë dhe popullsisë hinduiste? Me popullsinë
hinduiste marrëdhëniet janë shumë të mira: jo të gjithë hinduistët janë ekstremistë.
Ka një pakicë hinduistësh, që pohojnë se janë kundër të krishterëve, sepse të krishterët
impenjohen gjithnjë në edukimin e dalitëve, të cilët nuk konsiderohen njerëz nga hinduistët
radikalë. Ka shumë të varfër e falë Kolegjit tonë, bijtë e të varfërve mund të shkojnë
në shkollë e të arsimohen. Ekstremistët hinduistë nuk e pranojnë këtë ndryshim. A
mund të flasim vërtet për “persekutim të të krishterëve” në shtetin e Karnatakës? Po.
Nuk është hera e parë që sulmohen të krishterët në Indi. Në veri të vendit, shumë
famulli janë djegur e plaçkitur. Tani, është radha e shtetit të Karnatakës. Mesazhi
që dua të jap fillimisht, është se duhet të jemi të vetëdijshëm se gjithçka bëjmë
këtu, ne të krishterët, nuk e bëjmë për t’i “kthyer” njerëzit në fenë tonë, por për
të favorizuar zhvillimin e vendit, përmes edukimit. Pastaj, kërkojmë të luteni për
ne, sidomos për të krishterët, që sulmohen në këtë çast.