2012-02-01 16:30:14

SHBA: kryeipeshkvi i San Francisco-s kërkon të mbrohen dinjiteti dhe të drejtat e emigrantëve


Respektimi i dinjitetit të njeriut nuk njeh kufij, nuk shikon ngjyrë lëkure e as dokumente, që njeriu mund t’i ketë, por edhe mund të mos i ketë. E, sidomos, nuk mund të mbyllet pas hekurave të burgjeve. Këtë pohoi me forcë kryeipeshkvi i San Francisco-s , imzot George Hugh Niederauer. Prelati foli, të shtunën e kaluar, pranë Katedrales së Shën Marisë, në një takim ndërfetar, në të cilin morën pjesë qindra emigrantë, shumica me origjinë hispanike. Dënoi ashpër programin federal për t’iu kundëvënë emigracionit klandestin. Posaçërisht atje ku këto masa - që kërkojnë dëbimin nga territori i SHBA – zbatohen me rreptësi mbi njerëzit e mbyllur ndër burgje, gjë që shkakton ndarje të dhimbshme në gjirin e familjeve të emigrantëve, të pranishëm me shumicë në territorin e kryedioqezës kaliforniane. “Nuk mund të heshtim para një gjendjeje të tillë e nuk mund të lejojmë që në gjirin e familjeve tona të vijojë ndarja e të mbretërojë frika - ngriti zërin kryeipeshkvi, duke nënvizuar edhe se duhet respektuar dinjiteti i të gjithë vëllezërve e motrave, me ose pa dokumente”. Programi federal për kundërshtimin e emigrimit të parregullt, sidomos në Kaliforni, shtet me numrin më të madh të punëtorëve emigrantë në botë, parashikon edhe kontrolle brenda burgjeve. Shenjat e gishtrinjve të të burgosurve krahasohen me ato, që ruhen në Arkivat informative të Agjencisë “Immigration and Customs Enforcement (Imigrejshën ënd Kastem Infosment) (Imigrimi dhe detyrimet doganore) (Ice). E, për ata, që guxojnë të hyjnë ilegalisht në vend, merren menjëherë masa për riatdhesim, a më mirë të themi, për dëbim me forcë nga vendi. Gjatë zbatimit të këtij programi, sipas drejtuesve të Ice, deri tani janë riatdhesuar me detyrim më se 110. 000 emigrantë. Gjithsesi, ata që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, pohojnë se rregullat zbatohen edhe kundër njerëzve të dënuar për faje ose shkelje krejtësisht të parëndësishme të rendit. Madje ka raste kur policia i arreston emigrantët pa asnjë arsye bindëse, duke u bazuar vetëm mbi dyshime për mosrespektimin e rendit publik. Ky program i hap udhën mbylljes në burgje të emigrantëve edhe për shkeljet më të parëndësishme të rregullave të qarkullimit rrugor - theksoi gjatë takimit të së shtunës Moises Agudo, përfaqësues i dioqezës së San Francisco-s.
Muajin e kaluar 33 prelatë katolikë të SHBA kërkuan një reformë për emigrimin e drejtë, njerëzor, të frytshëm, duke i siguruar emigrantët pa dokumente, se “nuk janë vetëm, e as të harruar nga gjithë bota”.







All the contents on this site are copyrighted ©.