2012-02-01 16:30:48

Primati anglikan Rowan Williams viziton Tokën e Shenjtë


Paqe, pajtim, marrëdhënie ndërkishtare e ndërfetare, harmoni e re në Lindjen e Mesme: janë këto temat, trajtuar nga kryeipeshkvi i Canterbury, i nderuari Rowan Williams, kryetar i Bashkësisë anglikane, të shtunën e kaluar në Nazaret, në St. Margaret Guesthouse, ku mori pjesë në një takim ndërfetar, gjatë shtegtimit të tij në Tokën e Shenjtë. Në fjalimin e rastit, primati anglikan përçoi posaçërisht, mesazhin e Nazaretit. Nënvizoi, kështu, se të gjithë besimtarët duhet t’i përgjigjen ftesës për ta jetuar fenë e Abrahamit e për ta realizuar premtimin e tij, duke u përpjekur t’i ngjajnë Marisë së Nazaretit, të ecin në gjurmët e saj, gjithnjë të gatshëm për ta pranuar fjalën e Zotit e për të bërë plotësisht vullnetin e tij.
Gjatë takimit, lexojmë në faqen e internetit të Patriarkanës Latine të Jeruzalemit , morën pjesë myslimanë, druzë e të krishterë të konfesioneve të ndryshme. Katolikët përfaqësoheshin nga imzot Elias Shacour, kryeipeshkëv melkit i Akrit dhe ipeshkvi i nderit, imzot Boutros Mouallem.
E morën fjalën ipeshkvi Suheil Dawani i Kishës anglikane të Tokës së Shenjtë; Shehu Muafaq Tarif, në emër të druzëve; Shehu Fihmi Ahmad, në emër të myslimanëve; kryeipeshkvi Shacour, në emër të të krishterëve. Imzot Marcuzzo, duke i drejtuar përshëndetjen e mirëseardhjes kryeipeshkvit të Canterbury, e falënderoi për qëndrimin e tij të jashtëzakonshëm në mbrojtje të drejtësisë e të paqes në Tokën e Shenjtë e, përgjithësisht, në Lindjen e Mesme; për vizionin e krishterë mbi çështjet shkencore, si evolucioni; për dialogun ekumenik e ndërfetar si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera me Kishën Katolike, që spikatën posaçërisht lidhur me vizitën e Papës në Angli, lumnimin e John Henry Newman e edhe me Ordinariatin Personal, krijuar posaçërisht për anglikanët e kthyer në fenë katolike.
Kryeipeshkvi i Canterbury do të bëjë, këto ditë, disa vizita baritore në bashkësitë anglikane të vendit. Do të marrë pjesë edhe në një mori takimesh kushtuar dialogut ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.