2012-02-01 16:32:13

Në Indi, dhunohet një varrezë e krishterë. Protestojnë qindra besimtarë


Një varrezë e lashtë e krishterë u dhunua dhe u shkatërrua nga buldozerët në shtetin e Gugjaratit, në Indinë perëndimore. Anëtarët e Këshillit të Gjithë të Krishterëve të Indisë protestuan sot kundër këtij “akti barbar”, pas të cilit dyshohet se fshihet një grup radikal hinduistësh, shumë aktivë në këtë shtet. Këshilli kërkon dorëheqjen e kryeministrit të Gugjaratit, i cili është njëri nga liderët e Partisë pranë ekstremistëve hinduistë. “Nuk janë të sigurtë as të vdekurit, e jo më të gjallët”, nënvizojnë të krishterët. Varreza ekumenike e Sabarmatit e ka origjinën në periudhën britanike. Aty mund të varroseshin besimtarët e shtatë konfesioneve të krishtera: katolikë, metodistë e të disa grupeve pentekostale. Tani, skena që u doli para syve anëtarëve të Këshillit të të Krishterëve ishte vërtet e trishtuar: kryqe e rrasa varri të shkatërruara e të mbledhura në një cep, një pjesë e varrezës e rrënuar, një pjesë tjetër, e sheshuar me buldozer dhe e kthyer në parking.







All the contents on this site are copyrighted ©.