2012-01-31 15:49:48

U bë i njohur programi i udhëtimit të Papës në Meksikë e në Kubë


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohur sot programin e udhëtimit apostolik të Papës Benedikti XVI në Meksikë e në Kubë, nga 23 deri më 28 marsin e ardhshëm. Është udhëtimi i 23-të ndërkombëtar i Atit të Shenjtë, i cili kthehet në Amerikën Latine, pas vizitës në Brazil, në vitin 2007.
Gjashtë ditë të pasura me kremtime e takime kishtare, me rëndësi të madhe shoqëror. Papa – informon Salla e Shtypit e Vatikanit – do të mbërrijë në Meksikë, pasditen e së premtes, 23 mars, në aeroportin e Leonit, në shtetin e Guanajuatos, ku do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes. Të shtunën, më 24 mars, pas vizitës së kortezisë tek presidenti, Benedikti XVI do të përshëndesë e do të bekojë fëmijët meksikanë, të mbledhur në “Plaza de la Paz” të qytetit. Të nesërmen paradite, e dielë, 25 mars, Papa do të kremtojë meshën në Parkun 200-vjeçar të Leonit. Pasdite, në katedralen e së Shenjtnueshmes Nënë të Dritës, do të kremtojë Mbrëmësoret, së bashku me ipeshkvijtë meksikanë dhe ata të Amerikës Latine.
Paraditen e nesërme, Papa do të transferohet në Kubë, ku në orët e para të pasdites, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar të Santiago de Cuba. Do të kremtojë një meshë në sheshin “Antonio Maceo”, me rastin e 400-vjetorit të gjetjes së figures “Virgen de la Caridad del Cobre”. Më 27 mars, pas vizitës në shenjtëroren e Zojës, Papa do të shkojë në Havanë, ku pasdite do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit kuban. Më 28 mars, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën në Sheshin e Revolucionit “José Marti” të kryeqytetit dhe pasdite, do të niset për në Romë. Mbërritja e tij në aeroportin e Çampinos parashikohet në orën 10.00 të së enjtes, 29 mars.








All the contents on this site are copyrighted ©.