2012-01-31 14:54:23

Masakër në Siri. OKB-ja rrezikon veton ruse


Rusia në qendër të vëmendjes botërore, vetëm pak orë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që duhet të diskutojë një rezolutë të re kundër regjimit sirian. Pavarësisht nga presioni i kancelarive perëndimore, Moska duket se ka ndërmend të vendosë veton. Zv.ministri i jashtëm, Genadi Gatilov nënvizoi, në një deklaratë për shtyp, se “projektrezoluta mbi Sirinë nuk do të sjellë kompromis, por luftë civile”. Kremlini propozoi dje të jetë ndërmjetësues në një dialog të mundshëm ndërmjet presidentit Bashar al-Asad dhe opozitës siriane.
Ndërkaq, gjendja në terren është nga më të vështirat. Pasi denoncoi 100 viktimat e djeshme, ndër të cilat 55 civilë, opozita mbajti sot një ditë “zie e zemërimi”, siç u quajt koha për të përkujtuar të vrarët e “masakrave të egra” të regjimit në Homs. Ajo kërkoi ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe kërcënoi presidentin e familjen e tij se do të përfundojnë si lideri libian, Muhamar Gedafi.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet në orën 21.00 (me orën shqiptare). Mbi tryezën e diskutimeve, projektrezoluta arabo-perëndimore, që përfshin kushtet e Lidhjes Arabe. I pari ndër to, largimi nga pushteti i Asadit, në favor të zëvendësit të tij. Nuk do të marrë pjesë ministri i jashtëm rus, Lavrov, i cili, për 24 orë rresht, nuk pranoi telefonatën e sekretares amerikane të shtetit, Klinton, për të folur mbi gjendjen siriane. Arsyeja: impenjime të shumta gjatë vizitës në Australi, ku ndodhet, dhe pamundësia për të folur “nga ana tjetër e Oqeanit” për një çështje kaq delikate.








All the contents on this site are copyrighted ©.