2012-01-31 11:28:21

Bekimi i Kishës së Shën Palit në Bicaj/Pukë


Në fshatin Bicaj të rrethit të Pukës të dioqezës së Sapës më 25 janar në festën e Kthimit të Shën Palit është bekuar Kisha e re kushtuar pikërisht Shën Palit Apostull. Kremtimin e Meshës së Shenjtë dhe ritin e kushtimit të Kishës së re e bëri ipeshkvi vendas i Sapës, imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me famullitarin e fshatit Bicaj, misioni gjerman Andreas Waltermann. Më tepër mbi këtë ngjarje që ka gëzuar shumë besimtarët e Bicajt, nga Vau-Dejës na njofton Violeta Marashi.......RealAudioMP3

Në festën e kthimit të Shën Palit, më 25 janar të këtij vitit, banorët e fshatit Bicaj të rrethit të Pukës, iu gëzuan dhuratës së madhe, festës së bekimit të Kishës, kushtuar Shën Palit Apostull, i cili na kujton e na lidhë me historinë e lavdishme dhe martire të popullit shqiptar e të fesë së tyre të krishterë, kryesisht në zonën e Kabashit vendi në të cilën përfshihet edhe vetë fshati Bicaj, ku me shekuj e shekuj i kanë qëndruar besnik Krishtit Zot duke e zgjedhë si pajtor qiellor dhe ndërmjetësues Shën Palin apostull.
Në gëzimin e këtyre banorëve u bashkua edhe ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini, i cili kryesoi Meshën e Shenjtë në bashkëkremtim me famullitarin, misionarin gjerman Atë Andreas Waltermann. Të pranishëm ishin edhe Motrat Françeskane të Orvieto Todit, të cilat kanë një periudhë 15 vjeçare në shërbim të këtyre zonave.
Gjatë homelisë së tij, Ipeshkvi foli mbi figurën e Shën Palit, i cili ishte persekutues i të krishterëve të kishës së parë, por ai u kthye dhe u bë apostull i Krishtit, ku përveç jetës së kushtuar, Kishës së Krishtit i dhuroi edhe 14 letra të shkruara dhe të drejtuara bashkësive të krishtera të asaj kohe.
Më tej, ai vazhdoi duke cilësuar fjalët e Atit të Shenjtë, misionar i palodhur, i cili thërret fuqishëm njerëzit në jetë me Zotin, dhe porositë me thirrjen për të zbuluar traditat e krishtera që e kanë brumosur kulturën e Evropës dhe nxis thekson Papa, bashkësitë e krishtera të vazhdojnë të ngrenë zërin, ndërsa po përballemi me sfidat e mijëvjeçarit të ri.
Në këtë homeli, Imzot Lucjani nuk la pa përmendur edhe domethënien e ndërtimit të Kishës dhe bekimit të saj. Kisha tha ai, është ndërtesa e Zotit. Sepse vetë Zoti ynë, Jezu Krishti e ka krahasuar veten me gurin që ndërtuesit e kanë hedhë jashë përdorimit, por që është bërë guri i këndit. Mbi atë themel, Jezu Krishtin, Kisha është ndërtuar nga Apostujt dhe nga vetë Jezu Krishti merr qëndrueshmërinë e saj, cilësoi Ipeshkëvi i vendit.
Pas homelisë së rastit, vetë Imzot Lucjani bekoi Kishën e re sipas ritit të paraparë. Kisha e Shën Palit në Bicaj është një kishë e bukur dhe e thjeshtë, me kapacitet prej 150 vendesh. Ndërtimi i saj u bë i mundur falë bamirësve nga Gjermania, konkretisht nga famullia e Shën Lambertit, nga shoqata e Fraternitas Bonus Volontatis si dhe nga familja Shram po nga Gjermania.
Një falenderim i veçantë shkon për familjen vendase të Rrok Dedës, i cili dhuroi truallin për të ndërtuar Kishën e re. Vetë Zoti ka dashur të vendoset kjo banesë në mesin e këtyre banorëve, e që ndodhë për herë të parë në historinë e këtij vendi, duke ndriçuar kështu përreth këtij fshati si rreze e dashurisë, gëzimit dhe shpresës, si dhe vend burimi i hireve të shumta.







All the contents on this site are copyrighted ©.