E diel 29 janar, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të gjatë vitit kishtar,
e gjithnjë më 29 janar kalendari Kishtar përkujton edhe shën Kostancin, ipeshkëv i
Perugjës dhe shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Ata na kujtojnë se Krishti
kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat
e ndyrë. Pikërisht Ngjallja e Krishtit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë
njerëzimit. Të hënën më 30 janar, bie përkujtimi i shën Martinës, martire
dhe shën Gjaçintës Mareskoni, virgjër romake. Liturgjia na kujton se fuqia që del
nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret,
fiton nga Zoti jetën e pasosur. Të martën e ardhshme me 31 janar, kalendari
përkujton shën Gjon Boskon, meshtar e themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve
dhe shën Marçelën romake, dishepulle e shën Jeronimit. Festa e shën Gjon Boskut na
kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e çuditen për Jezusin: e për ta
pranuar, duhet parë me sytë e fesë e të dashurisë, që na mësojnë se Krishti është
Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në Të, e percepton të renë që Ai e Fjala
e Tij Ungjillore sjell ndërmjet njerëzve. Të mërkurën më 1 shkurt, kalendari
do të përkujtohet festa e shën Brigjidës, abateshë në Irlandë dhe shën Ludovikës Alberoni,
vejush romake. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga
Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë
zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar
jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave. Të
enjten me 2 shkurt, do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë
njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike
ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit
Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve.
Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin. Të premten
me 3 shkurt kalendari do të përkujtojë shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastës
e martir, që na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk
ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë! Të shtunën që vjen me 4 shkurt
kalendari përkujton shën Eutikin, martir dhe shën Jozefin nga Leonesa, kapuçin. Në
jetën e shenjtorëve e gjejmë Jezusin që tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat
e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigjen
e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti
e për të lëvduar Zotin, që e mbajti premtimin. Të dielën e ardhshme me 5 shkurt,
Kisha do të kremtojë të dielën e 5-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 5 shkurt
kalendari përkujton edhe shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe
shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson
se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh
afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se
edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim
me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.