2012-01-30 17:13:34

Papa në Engjëllin e Tënzot: në logjikën e Zotit pushteti nuk është sundim, por shërbim.


Pushteti nuk është sundim, por shërbim: në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi të gjithë të mos e harrojnë logjikën e dashurisë së Zotit, që ndryshon krejtësisht nga etja për sukses e që të shëron nga sëmundja e mëkatit. Ati i Shenjtë kujtoi edhe Festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, ndër ne “Zoja e Qirave”, Ditë Botërore e Jetës së Kushtuar, që do të kremtohet më 2 shkurt si dhe Hildegardën Burjan, që u shpall e Lume dje pasdite. Pa harruar edhe Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula e Ditën ndërkombëtare të ndërmjetësimit për paqen në Tokën e Shenjtë. E pastaj, përtëriu traditën e lëshimit të dy pëllumbave , simbol i paqes, së bashku me fëmijët e Veprimit Katolik.
“Shpesh, për njeriun, pushtet do të thotë pasje, sundim, nënshtrim i tjetrit, sukses”. E kujtoi Benedikti XVI, duke theksuar me forcë se logjika e Zotit ndryshon krejtësisht nga logjika e njeriut:
Për Zotin pushtet do të thotë shërbim, përvujtëri, dashuri; do të thotë të hysh në logjikën e Jezusit, që na bën thirrje të ulemi e t’ua lajmë këmbët dishepujve (cfr Gjn 13,5), që kërkon të mirën e njeriut, që shëron plagët, që është i aftë për një dashuri aq të madhe, sa të japë edhe jetën, sepse Ai vetë është Dashuri”.
Pushteti hyjnor nuk është forcë e natyrës, pohoi Papa:
“Është pushteti i dashurisë së Hyjit që krijon universin e, duke u mishëruar në Birin e Vetëm, duke u ulur në gjendjen tonë njerëzore, e shëron botën e prishur nga mëkati”.
Benedikti XVI kujtoi edhe se të enjten e ardhshme do të kremtohet Dita Botërore e Jetës Rregulltare:
Ta lusim me besim Zojën e Bekuar të na i udhëheqë zemrat tona të etura, drejt burimit të Mëshirës Hyjnore, që e çliron dhe e shëron natyrën tonë të sëmurë njerëzore”.
Pastaj, në përfundim të lujtes mariane, Papa kujtoi Hildegardën Burjan, laike, nënë familjeje, themeluese e Shoqërisë së Motrave të Bamirësisë Shoqërore, që jetoi ndërmjet tetëqindes e nëntëqindes e u shpall, dje pasdite, e Lume, në Vjenë:
“Ta lavdërojmë Zotin për këtë dëshmi të bukur të Ungjillit”.
Nuk mungoi edhe një fjalë e fuqishme e Papës, për Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula:
Duke përshëndetur Shoqatën Italiane të Miqve të Raul Follero, dëshiroj ta dëgjojnë fjalën time inkurajuese të gjithë ata, që vuajnë nga kjo sëmundje, si dhe ata, që i asistojnë e, në mënyra të ndryshme, të impenjohen për zhdukjen e varfërisë e të përjashtimit nga radhët e shoqërisë, shkaqet kryesore të përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse”.
Një lutje, në përfundim, në Ditën ndërkombëtare të ndërmjetësimit për paqe në Tokën e Shenjtë:
Në bashkim me Patrikun Latin të Jeruzalemit dhe Rojtarin e Tokës së Shenjtë, lutemi për dhuratën e paqes në këtë tokë të bekuar nga Zoti”.

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në frëngjisht, inkurajimi për besnikëri të patundur ndaj Zotit e për të jetuar sipas Fjalës së Tij, që të bën të lirë e të jep guxim ta shpallësh me zë të lartë, ndërmjet njerëzve.
Në anglisht, urimi që, pavarësisht nga shkujdesjet e jetës e nga fitorja, në dukje, e së keqes mbi të mirën, ne mund të vijojmë ta mbështesim gjithë besimin tonë në Jezusin, që është Rruga, e Vërteta, Jeta.
Në gjermanisht Papa citoi fjalët e laikes, që u shpall dje e Lume: “E di me siguri se ekziston vetëm një lumturi e vërtetë: dashuria e Zotit! Gjithçka tjetër që mund të të japë kënaqësi, do të ketë vlerë, vetëm në se vjen nga kjo dashuri, në se bazohet mbi të”.
E Lumja, shpjegoi Papa, e jetoi këtë dashuri e, si themeluese e Shoqërisë së Motrave të Dashurisë Shoqërore, mblodhi rreth vetes gra, të cilat edhe sot e kësaj dite vijojnë të jenë burim i kësaj Dashurie, për t’u çuar ngushëllim e ndihmë njerëzve që vuajnë.
Në spanjisht, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët t’i përgjigjen Fjalës së Zotit me një lutje të sinqertë, të përhershme, të përvuajtur.
Në polonisht, kujtoi Ditën e Jetës së Përkushtuar, duke i ftuar të gjithë të luten për thirrje të reja meshtarake e rregulltare e duke nënvizuar rëndësinë e shërbimit të rregulltarëve e të rregulltareve dhe të veprimtarisë së tyre apostolike e bamirëse në gjirin e Kishës.
Në italisht, Papa përshëndeti fëmijët dhe të rinjtë e Veprimit Katolik që, së bashku me edukatorët dhe familjarët, organizuan dje nëpër rrugët e Romës ‘Karvanin e Paqes’:
Ju falënderoj e ju inkurajoj ta përhapni kudo paqen e Jezusit”.
Më pas, dy fëmijë, një djalë e një vajzë, u dukën në dritaren e Papës për lëshimin tradicional të pëllumbave të paqes. Vajza, duke lexuar një përshëndetje fëmijnore, drejtuar Atit të Shenjtë, nënvizoi impenjimin e Veprimit Katolik për të reflektuar, edhe në heshtje, mbi vlerën e paqes, duke kujtuar fëmijët, që jetojnë në kushte të vështira e edhe nismën për një qendër riedukimi, për vajza të vogla, promovuar në Bolivi. E në përfundim, në emër të të gjithëve, iu drejtua Papës me fjalët
“Të kërkojmë të lutesh së bashku me ne për prindërit tanë, edukatorët, meshtarët, që të na formojnë për të qenë dëshmitarë e veprimtarë të paqes”.
Para e pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Sheshi i Shën Pjetrit gumëzhiu nga zërat e 2000 fëmijëve të Veprimit katolik dioqezan, pjesëmarrës në Karvanin e Paqes, përfaqësuesit e të cilëve lëshuan, së bashku me Papën, pëllumbat e bardhë, simbol i paqes për Romën e mbarë botën.
E, me që në çastin e parë pëllumbat rrahën flatrat për t’u rikthyer atje, prej nga ishin lëshuar, Benedikti XVI, me shaka pohoi: “Duan të rrinë në shtëpinë e Papës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.