2012-01-30 17:13:50

Lumnimi i Hildegard Burjan, bashkëshorte, nënë e parlamentare. Kardinali Shënborn: edhe politikanët mund të jenë shenjtorë.


Dje pasdite, në katedralen e Shën Shtjefnit, në Vjenë, u shpall e Lume Hildegard Burjan, laike, nënë familjeje, e impenjuar gjallërisht në politikë, themeluese e Motrave të Caritas Socialis. Riti u bashkëkremtua nga kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Kristof Shënborn dhe kardinali Amato, përfaqësues i Papës.
Ishte festë e madhe, dje, në të gjithë Austrinë. Mbarë vendi kujtoi me nderim të thellë Hildegarden Burjan. E lindur më 1883, gjermane me origjinë hebraike, kthyer në fenë katolike, e Lumja e re ishte grua e shquar, e zgjedhur deputete në parlamentin austriak, që e jetoi politikën si shërbim ndaj Ungjillit, në favor të të shtypurve, duke ecur besnikërisht në gjurmët e Enciklikës shoqërore Rerum novarum të papës Leoni XIII. Më 1912 themeloi Shoqatën e punëtoreve të krishtera shtëpijake, ndihmoi popullsitë e uritura, krijoi një rrjet ndihme për familjet, luftoi kundër punësimit të të miturve. Më 1919 themeloi Motrat e Caritas Socialis.
E, gjithë këtë veprimtari e kreu, duke qenë grua e martuar e nënë fëmijësh. U mësua, kështu, ta japë jetën ditë për ditë, për dashuri të Krishtit, të cilin e pa gjithnjë në fytyrat më të etura për dritë e drejtësi. Ishte e mendimit se njerëzit nuk mund të ndihmohen as me para, e as me lëmoshë të vogla. Mund të ndihmohen vetëm duke u krijuar besim në vetvete, duke i mësuar të jenë protagonistë të fateve të veta e të mbarë shoqërisë.
E gjithë jeta e saj, nënvizoi kardinali Shënborn, na kujton se shenjtëria është e mundur dhe në politikë, se edhe politikanët mund të lartohen në nderimet e elterit!Shembull frymëzimi, e Lumja e re austriake, për deputetët e të gjitha parlamenteve të botës, që të flasin gjithnjë me frymën e drejtësisë, e të dashurisë, jo njerëzore, po hyjnore!







All the contents on this site are copyrighted ©.