2012-01-30 10:46:46

Lajme flash nga Vatikani


Në katekizmin e së mërkurës, Papa Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos e kufizojnë lutjen vetëm në kërkesa për zgjidhjen e problemeve personale. Duke ia hapur zemrën gjithë botës, nënvizoi Ati i Shenjtë, të kujtojmë edhe të afërmin para Zotit.

Të mërkurën mbrëma, Papa kremtoi Mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit Apostull, që si çdo vit, mbylli Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. “Ata që impenjohen në dialog – theksoi Benedikti XVI – nuk duhet të çkurajohen para përshtypjes se rruga drejt bashkimit të plotë është akoma e gjatë e plot pengesa. Fitorja vjen në kohën e vet e kërkon prej nesh fe e durim”.

Në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, që do të kremtohet më 21 tetor 2012, por që u bë i njohur javën e kaluar, Papa Racinger vë në dukje nevojën e imitimit të entuziazmit apostolik të bashkësive të para të krishtera, të cilat megjithëse të vogla e të pambrojtura, arritën ta përhapin Ungjillin e Krishtit në të gjithë botën. “Misioni “ad gentes” duhet të jetë horizonti i vazhdueshëm dhe paradigma e çdo veprimtarie kishtare”, shkruan Ati i Shenjtë.

Para vizitës së Benediktit XVI në Kubë, në program nga 26 deri më 28 mars, qeveria e Raul Kastros u dha amnistinë 2.900 të burgosurve, ndër të cilët, 86 të huaj. Regjimi kuban sqaron se ky është një akt sovran, për arsye humanitare, pasi shumica e këtyre të burgosurve janë të moshuar, ose të sëmurë. Një pjesë janë liruar pasi janë sjellë mirë në burg.

Në fund të javës së kaluar, u zhvillua në Vatikan, një takim ndërkombëtar kushtuar Fondacionit për ungjillëzimin përmes mediave. Objektivi i tij është të ungjillëzohet bota dixhitale, duke financuar nisma të ndryshme, ndër të cilat projektin për një televizion katolik botëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.