2012-01-30 14:45:23

Imzot Mirdita: mos t’i kundërvihemi planit të Zotit


Nga letra baritore e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit drejtuar besimtarëve e klerit të Kishës dioqezane me rastin e 10-vjetorit të shugurimit të Katedrales së shën Palit Apostull në Tiranë

TË DASHUR MESHTARË,
RREGULLTARË DHE RREGULLTARE,
TË DASHUR BESIMTARË,
Në letrën baritore me rastin e Krishtlindjes ju kemi kujtuar se më 28 janar në Kishën Katedrale do të përkujtojmë përvjetorin e dhjetë e përkushtimit të saj.
Ky përvjetor na detyron ta falënderojmë Zotin për bekimet e begatshme me të cilat ka stolisur Kishën tonë Katedrale gjatë këtyre dhjetë viteve. Vetëm për të përmendur disa raste më të veçanta: vetë përkushtimi i Katedrales para dhjetë viteve nga Eminenca e tij Kardinali Angelo Sodano, ish-Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i deleguari nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II; ngritja e Arkidioqezes sonë në Arkidioqeze Metropolitane në vitin 2005; viti jubilar i shën Palit 2008-2009, i shpallur nga Papa Benedikti XVI, me të cilin rast Pendestaria Apostolike i dha Katedrales sonë të drejtën e ingulgjences plenare për të gjithë shtegtarët që ndaleshin në këtë tempull për të kërkuar faljen e mëkateve dhe hirin e Hyjit; mesha solemne me rastin e takimit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane në vitin e kaluar; si shugurimi i ipeshkvit ndihmës, katër meshtarëve dhe tre diakonëve e kremtime tjera të jashtëzakonshme. Gjatë kësaj periudhe në këtë Katedrale janë pagëzuar 1500 veta dhe janë krezmuar 1300, ndërsa 500 çifte janë bashkuar në sakramentin e martesës. Për të gjitha këto i jemi shumë mirënjohës Zotit.

Fatmirësisht, përvjetori ynë rastis me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Por le t’ju kujtoj dy domethënie të veçanta të këtij përvjetori.
Domethënia e parë: Është përvjetor i përkushtimit të një Kishe.
Dhe kjo është një përgjigje për një sfidë të kulturës bashkëkohore. Është sfida për t’i përkitur një bashkësie fetare dhe për ta afruar Zotin në dhe me këtë bashkësi. Në fakt kultura e sotme e individualizmit sugjeron se mund të jemi besimtarë pa i përkitur asnjë komuniteti fetar. Një mentalitet i tillë është shumë përhapur në vendin tonë, për shkak se për shumë vjet, kur ishte ndaluar çdo praktikë fetare, për shumë mjafton të dëshmohen si besimtarë pa frekuentuar asnjë vend kulti, edhe pse tani kanë mundësi, vazhdojnë të ruajnë këtë qëndrim. Megjithatë një mentalitet i tillë i kundërvihet planit shpëtimtar të Zotit, të cilit i pëlqeu t’i shpëtonte njerëzit jo si individë, pa kurrfarë lidhjeje në mes tyre, por duke i bashkuar si një popull. Prandaj nuk mjafton ta nderojmë Zotin në fshehtësinë e zemrave tona, por duhet ta nderojmë gjithashtu në bashkësi të besimtarëve.
Kisha është vendi ku Populli i Hyjit bashkohet në fe dhe në dashuri për ta nderuar atë “në shpirt dhe në të vërtetë” (Gjn 4, 24). Përkushtimi i një kishe do të thotë se ajo ndërtesë tani i përket ekskluzivisht kultit. Është vendi i caktuar posaçërisht për ata që duan të bashkohen me besimtarët e tjerë për ta adhuruar Hyjin në shpirt dhe në të vërtetë.
Domethënia e dytë: Është përvjetor i përkushtimit të Kishës Katedrale.
Edhe këtu kemi një përgjigje për një sfidë tjetër të kulturës së sotme: sfida për ta mbajtur dhe për ta forcuar lidhjen me Bariun e Kishës vendase, domethënë me Ipeshkvin dioqezan, pasardhës i apostujve. Ka kohë që flitet për “krizë autoriteti”. Por asnjë shoqatë apo bashkësi nuk mund të mbijetojë pa asnjë formë autoriteti. Ashtu edhe Kisha, si një bashkësi organike, kërkon të ketë njerëz të cilët, me autoritetin e tyre, i shërbejnë popullit.
Kisha e gjithmbarshme, e udhëhequr nga Papa, pasardhësi i apostull Pjetrit, përbëhet nga kishat vendase, secila prej tyre udhëhequr nga Ipeshkvi dioqezan. Kisha Katedrale është selia e Ipeshkvit dioqezan, prandaj shenja e dukshme e bashkimit të besimtarëve në këtë Kishë të veçantë. Kisha vendase është shenja e atij bashkimi në të njëjtën fe, e asaj pjesëmarrjeje me të njëjtat mjete shenjtërimi që janë veçanërisht sakramentet, dhe e asaj lidhjeje në dashuri vëllazërore.
Ndërtesa që ne e quajmë “Kishë” është “Tempulli i Hyjit”. Por ky Tempull është simboli i atij Tempulli që është Trupi i Krishtit. Shën Pjetri na kujton se ne jemi “gurë të gjallë” në këtë Tempull, një familje ku anëtarët ndajnë të njëjtin besim dhe mjetet e shenjtërimit dhe udhëhiqen nga bariu që u shërben në emrin e Jezu Krishtit dhe garanton njësinë e kësaj familjeje.
Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, le të kuptojmë rëndësinë e këtij përvjetori të dhjetë të përkushtimit të Kishës Katedrale! Ju ftojmë të merrni pjesë në meshën që do të kremtohet të shtunën më 28 janar në orën 11.00 për të shprehë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Hyjit.
Së bashku me këto urime ju përcjell bekimin tim baritor.
Dhëne në Tiranë sot, më 6 janar 2012, e kremtja e Dëftimit të Zotit.
Imzot Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës







All the contents on this site are copyrighted ©.