2012-01-30 10:45:19

Atë Lombardi flet mbi shfarosjen e hebrenjve: të mos harrojmë


Në 67 vjetorin e hapjes së portave të hekurta të Aushvicit nga ana e Armatës së Kuqe ruse, u kremtua të premten Dita Botërore, që OKB-ja ia ka kushtuar kujtimit të viktimave të Holokaustit. 12 milion njerëz gjetën vdekjen në kampet naziste të përqendrimit, gjatë Luftës II Botërore e, prej tyre, 6 milion ishin hebrenj. Editoriali i sotëm i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i kushtohet pikërisht kësaj teme:RealAudioMP3
“67 vjet më parë, më 27 janar 1945, merrte fund turpi i Aushvicit. Dita e Kujtesës është vendosur enkas në këtë datë, të lidhur me vendin simbolikisht më të tmerrshëm të tragjedisë së jashtëzakonshme të Holokaustit. Nuk mund e nuk duhet të harrojmë. Nëse kanë ekzistuar njerëz, të aftë të arrinin në tmerre të tilla absurde, askush nuk na siguron se në të ardhmen nuk mund të ndodhë sërish, e Kujtesa e dhimbshme bëhet paralajmërim për sot e për çdo kohë.
Kujdes! 67 vjet nuk janë pak. Brezi i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, i atyre, që e kanë jetuar kohën dhe tmerret e Holokaustit, po shuhet me shpejtësi. Duhet të jemi edhe ne të shqetësuar, si ata që fillojnë të kenë frikë nga rreziku i harresës, edhe më i keq se ai i mohimit, ushqyer jo vetëm nga injoranca, por, nganjëherë, – e kjo është e tmerrshme – edhe nga urrejtja për arsye politike, etnike, ose fetare. Kujtimi i Shfarosjes së Hebrenjve është një pikë e rëndësishme konfrontimi në historinë e njerëzimit, për të kuptuar se ç’është në lojë, kur flitet për dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, për universalitetin e të drejtave të njeriut dhe për impenjimin në mbrojtjen e tyre.
Për besimtarët, është edhe “vend teologjik” i pashmangshëm. Është vendi i pyetjes më radikale mbi Zotin e mbi të keqen. Është vendi i seriozitetit të fundëm të qëndrimit tonë para Zotit, të pyetjeve që i drejtojmë nga thellësia e shpirtit, të heshtjes para misterit. Për të krishterin, është vendi nga ku sheh Kryqin, me shpresën që ankthi të zëvendësohet me jetën. Papa polak e Papa gjerman kanë shkuar në Aushvic për të kujtuar. Edhe ne do të vazhdojmë të kujtojmë, në solidaritet me popullin e Izraelit e me të gjitha viktimat e urrejtjes absurde vëllavrasëse, që u mohon atyre dinjitetin, kujtdo populli e gjuhe i përkitën e i përkasin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.