2012-01-27 18:35:38

T’i jepet përgjigje etjes për Zotin në shoqëri: filloi takimi i Kek-Ccee.


Në Gjenevë mbahet takimi i Komitetit të përbashkët të Konferencës së kishave evropiane (Kek) që përfshin Kishat kryesore ortodokse, protestante e anglikane të kontinentit, dhe Këshillit të konferencave episkopale evropiane (Ccee). Takimi vjetor sivjet ka në qendër të vëmendjes sfidat para të cilave ndodhen Kisha e shoqëria në këtë periudhë krize, siç na e shpjegon, në intervistën dhënë Radios sonë, atë Duarte Nuno Queiros de Barros da Cunha, sekretar i ri i përgjithshëm i Këshillit të ipeshkvijve evropianë:

Përgjigje: - Nuk është vetëm krizë ekonomike – siç na e kujton vazhdimisht Ati i Shenjtë – por kryesisht krizë feje e, prej këndej, edhe krizë kulturore. Prandaj u mblodhëm së bashku, për të kuptuar sfidat që duhen përballuar në veprimtarinë e kumtimit të Ungjillit në një botë të tillë, e cila ka nevojë të ngutshme për Jezusin. Të duket se vetë bota na kërkon të merremi vesh, pikërisht për t’iu përgjigjur etjes së saj për Krishtin.

Pyetje: - Atë Duarte, parë në këtë këndvështrim, besoj se edhe dialogu me myslimanët në Evropë duhet të jetë në plan të parë?

Përgjigje: - Edhe në këtë këndvështrim, ballafaqohemi prej vitesh: nganjëherë së bashku, herë tjetër veç e veç, për çështje praktike. Gjatë vitit të kaluar Kek u mor me problemet e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Evropë, duke vënë theksin mbi dialogun. Ccee organizoi një takim në Torino me delegatët e të gjitha Konferencave Episkopale, për të diskutuar ç’duhet bërë e cilat janë shqetësimet kryesore në aspektet e pranisë institucionale të myslimanëve në vendet e në shtetet evropiane. Tani dëshirojmë t’i tregojmë Konferencës së kishave evropiane atë, që kemi bërë, duke pasur parasysh se edhe ata kanë analizuar veprimtarinë e Kishave të tyre, për të kuptuar më thellë gjendjen e sotme të marrëdhënieve ndërmjet myslimanëve e të krishterëve. Ka shumë mundësi që pastaj, duke u ballafaquar, të arrihet tek ideja e bashkëpunimit, gjë që mund të vendoset në të ardhmen. Jemi dy organizma të impenjuara për njohjen më të thellë ndërmjet nesh e për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut. Gjithsesi duhet pasur mirë parasysh se në Evropë ka realitete të ndryshme myslimane: nga njëra anë, kemi myslimanë, që arrijnë tani; por edhe myslimanë, që jetojnë prej kohe në vendet evropiane e janë evropianë, si në vendet ballkanike; kemi, pastaj, myslimanë që janë integruar plotësisht, e edhe të tjerë, që nuk janë integruar ende e që, prandaj, hasin shumë vështirësi. Kjo larmi kërkon që të krishterët të mbajnë qëndrime të ndryshme, në situata të ndryshme. Ajo, që të bie gjithnjë më shumë në sy, është se prania e myslimanëve i vë të krishterët para detyrës së thellimit të vazhdueshëm të fesë së tyre. E kjo, sepse kur dialogon ndjen gjithnjë nevojën për ta kuptuar mirë se kush je. Pa këtë vetëdije, nuk mund t’i paraqitesh pastaj tjetrit e ta dëgjosh, kur të tregon se kush është. Atëherë edhe përmasa e dinjitetit tonë të krishterë bëhet gjithnjë më urgjente. Pa harruar lidhjen e ngushtë me përmasën misionare, sepse ungjillëzimi i ri kërkon që edhe dialogu ndërfetar të çojë në fund të fundit, në kumtimin e Ungjillit.

Pyetje: - Flitet edhe për praninë e ciganëve në vendet e ndryshme të Evropës….

Përgjigje: - Prej kohe Ccee dhe Kek flasin për realitetin e ciganëve në Evropë dhe e përballojnë këtë realitet, duke u ndaluar edhe tek veprimtaria e Kishave të ndryshme protestante e ortodokse në vendet e Lindjes, e, natyrisht, tek veprimtaria e Kishës Katolike. Viti i fundit ka qenë vërtet i rëndësishëm pikërisht për këtë: në nivelin e Kishës Katolike, si Ccee e në bashkëpunim me Comece (Komisioni i episkopateve të Bashkimit Evropian), kemi organizuar disa takime, në të cilat morën pjesë specialistë të ndryshëm, për të kuptuar mundësitë politike e baritore, që ndihmojnë për integrimin, por edhe për vlerësimin e këtyre popujve. Ccee dhe Kek, në bashkëpunim me Komisionin evropian, organizuan në Bruksel seminarin njëditor, gjatë të cilit u fol pikërisht për gjendjen e ciganëve dhe problemet e tyre. Takimi përfundoi me Letrën e përbashkët të Ccee dhe Comece drejtuar Komisionit evropian, të cilën tani duam t’ia paraqesim edhe Kek. Në Letër nënvizojmë disa nga aspektet më të rëndësishme të jetës së ciganëve: edukimin, integrimin e, mbi të gjitha, ndihmën për të punuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.