Shoah-shfarosja e hebrenjve, në magjisiterin e Benediktit XVI
Sot në Ditën Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të Holokaustit të Hebrenjve,
duam të kujtojmë se edhe mendimi teologjik e magjisteri i Papës Benediktit XVI përshkohet,
që nga fillimi, nga vëmendja e madhe për hebraizmin. Shenja e parë u duk menjëherë
pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, kur Papa i ri iu përgjigj urimeve të dërguara
nga Kryerabini i Romës, Rikard Senji, i ftuar në kremtimin e fillimit të Papnisë në
Sheshin e Shën Pjetrit. I gjithë mendimi i Benediktit XVI, ashtu si dhe magjisteri
që lidhet me hebraizmin, është në përkim të plotë me Deklaratën “Nostra Aetate”(1965),
të cilën e citon vazhdimisht në fjalimet e tij, njëherësh me pohimet e paraardhësve,
posaçërisht të Palit VI e të Gjon Palit II. Fjalimet e Benediktit XVI gjatë vizitës
në Sinagogën e Këlnit (19 gusht 2005) e në Aushvic (28 maj 2006) përbëjnë dy çaste
kulmore të papnisë së Tij përsa u përket marrëdhënieve ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve.
Natyrisht nuk janë të vetmet. Duhet të kujtojmë edhe tre fjalime në SHBA e në Francë,
vitin e kaluar. Gjatë vizitës në sinagogën e Këlnit, në vitin 2005, Benedikti XVI
pohoi se do të vijonte me zell të madh udhën drejt përmirësimit të marrëdhënieve të
miqësisë me popullin hebraik. Më pas e quajti Shoah krim të pashembullt, të planifikuar
në çastin më të errët të historisë gjermane e evropiane, nga ideologjia e çmendur
naziste, me zanafillë neopagane, që dëshironte ta shfaroste hebraizmin evropian. E,
së bashku me Gjon Palin II ulte kokën për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre, që
e provuan këtë shfaqje të ‘mysterium iniquitatis’ - misterit të së keqes. Kujtonte,
më pas, rrënjët e njëllojta dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme, që është pasuri e
përbashkët e të krishterëve dhe e hebrenjve, duke ripohuar se kush takon Jezu Krishtin,
takon hebraizmin. Dënonte, pastaj, ashpër, urrejtjen, persekutimet dhe të gjitha shfaqjet
e antisemitizmit, kurdoherë e nga kushdo. Inkurajonte dialogun e sinqertë e besimplotë
ndërmjet hebrenjve e të krishterëve. Një dilalog ky - shtonte - që në se dëshiron
të jetë vërtetë i sinqertë, nuk duhet t’i kalojë në heshtje ose t’i anashkalojë ndryshimet
ekzistuese: edhe në gjërat që, për shkak të bindjeve tona të thella fetare, na dallojnë
njëri nga tjetri, madje pikërisht në këto gjëra, duhet ta duam e ta respektojmë reciprokisht
njëri-tjetrin. Gjatë vizitës historike në Aushvic-Birkenau (28 maj 2006) Benedikti
XVI theksoi: “Të marrësh fjalën në këtë vend tmerri, ku janë grumbulluar krime kundër
Zotit e kundër njeriut, që s’kanë shembull në histori, është pothuajse e pamundur
- e posaçërisht e vështirë dhe e rëndë për një të krishterë, për një papë që vjen
nga Gjermania. Në një mjedis si ky, fjalët humbasin kuptimin, duke i lëshuar vendin
heshtjes tronditëse, heshtjes, që bëhet britmë lartuar drejt Zotit: ‘O Zot, pse heshte?
Pse e lejove gjithë këtë tmerr? Sa pyetje lindin në këtë vend! E lind rishtas pyetja:
“Ku ishte Zoti këto ditë? Pse heshti? Si mundi ta duronte gjithë këtë shkatërrim,
që i tejkaloi të gjitha masat, këtë ngadhënjim të së keqes? Që na kujton tronditshëm
ankimin e Psalmistit: “Pse na e fsheh, o Zot, fytyrën tënde, e harron mjerimin e shtypjen
tonë? Sepse u flakëm në pluhur; trupi për dhe na u shtrua, si të ishte pa jetë. Zgjohu
e na ndihmo! Në mirësinë tënde, shpëtona!”. Kjo britmë ankthi që izraeliti i larton
Zotit në periudha angështie të thellë, është edhe britma për ndihmë e të gjithë atyre
që, në rrjedhë të historisë - dje, sot e nesër- vuajnë për dashuri të Hyjit, për dashuri
të së vërtetës e të së mirës; e janë të shumtë, edhe sot! Benedikti XVI e përfundoi
fjalën e tij, duke nënvizuar: “Vendi ku gjendemi është vend i kujtimit, e vendi i
Shoah. E kaluara nuk është kurrë vetëm e kaluar. Ajo ka të bëjë me ne e na tregon
në cilat rrugë duhet e në cilat nuk duhet të ecim. Ashtu si Gjon Pali II, përshkova
udhën e lapidareve të cilët, në gjuhë të ndryshme, kujtojnë viktimat e këtij vendi:
janë lapidare mbi të cilat shkruhet në gjuhën bjelloruse, gjermane, çeke, franceze,
greke, hebraike, kroate, italiane, judeo-gjermane, hungareze, holandeze, norvegjeze,
polake, rumune, cigane, sllovake, serbe, ukrainase, judeo-hispanike, angleze... Këto
lapidare flasin në të gjitha gjuhët për dhimbjen njerëzore, të kujtojnë cinizmin me
të cilin ky pushtet i trajtonte njerëzit si të ishin sende e jo njerëz, që pasqyrojnë
shëmbëlltyrën e Zotit. Disa nga lapidaret të ftojnë për një përkujtim të posaçëm.
Një ndër to është ai në gjuhën hebraike. Pushtetarët e Raihut të Tretë dëshironin
ta zhduknin plotësisht popullin hebraik, ta shlyenin nga lista e popujve të tokës.
Atëherë fjalët e Psalmit: “Jemi të dënuar me vdekje, si delet që i çojnë te kasapi”
vërtetohen në mënyrë të tmerrshme. Në fund të fundit këta kriminelë të paskrupull,
duke e zhdukur këtë popull, deshën të zhduknin atë Zot që thirri Abrahamin; që, duke
folur mbi Sinai, i dha njerëzimit kriteret orientuese, me vlerë në amshim. Në
se ky popull, vetëm me ekzistencën e tij, përbën një dëshmi të atij Hyji, që i foli
njeriut e e bëri të vetën çështjen e tij, atëherë ky Hyj duhej më në fund të vdiste
e sundimi i tij t’i përkiste vetëm njeriut - vetëm atyre që besonin se ishin tejet
të fortë e se kishin ditur ta shtronin nën këmbë botën mbarë. Me shkatërrimin e Izraelit,
me Shoah - pohon Benedikti XVI - dëshironin, në fund të fundit, të shkulnin edhe rrënjën
nga e cila nis feja e krishterë, duke e zëvendësuar përfundimisht me fenë e tyre,
fenë e sundimit të njeriut, të pushtetit të të fortit.