2012-01-27 18:35:03

Ipeshkvi i Abuzhës në Nigeri: politika duhet të ndalë integralistët e “Boko Haram”


“Problemi i organizatës ‘Boko Haram’ nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin e sigurisë, duhet një strategji e qartë për të përfshirë të gjitha ambientet politike të veriut të vendit”: kështu shprehet për agjensinë vatikanase Fides, kryeipeshkvi i Abuzhës, imzot Xhon Olorunfemi Onajekan, pas arrestimeve në Kano, qyteti verior ku atentatet e fundit të sektit integralist islamik shkaktuan 185 viktima. 200 aktivistë të organizatës u shoqëruan në burg nga policia.
“Herët a vonë – thekson imzot Onajekan – dikush duhet të flasë me Boko Haram-in e, sipas meje, këtë mund ta bëjnë ata politikanë që kanë të njëjtat synime me organizatën, por nuk janë dakord me metodat që përdor për arritjen e tyre. Është e vështirë të gjendet një pikë e përbashkët, pasi as qeveria dhe as pjesa më e madhe e nigerianëve nuk dëshiron një shtet islamik. Por, duhet të përfshihen të gjitha palët politike në një dialog kombëtar për ta nxjerrë Nigerinë nga kjo krizë”. Sipas kryeipeshkvit të Abuzhës, kryeqytet i vendit, nuk mund të bëhet ndryshe, pasi është e pamundur të garantohet siguria në një shtet kaq të shtrirë. Armët mund të transferohen lehtë nga njëra anë në tjetrën e postoblloqet e policisë janë shpesh të izoluara e nuk mund të mbrohen lehtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.