2012-01-27 18:35:23

Bisedime Izrael - Seli e Shenjtë: progres themelor. Shpresat e imzot Franko-s.


“U bënë hapa themelore përpara lidhur me çështjet më të rëndësishme”: këtë pohon një komunikatë e përbashkët, në përfundim të mbledhjes plenare të Komisionit dypalësh të përhershëm të Punës të Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit, që u mblodh dje, në Jeruzalem. Në qendër të bisedimeve, zhvilluar në një atmosferë të sinqertë, miqësore e konstruktive, një paragraf i Marrëveshjes themelore, nënshkruar më 1993, që ka të bëjë me çështjet ekonomike e fiskale. Takimin e kryesoi imzot Ettore Balestrero, zëvendës-sekretar për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shtetet dhe zëvendës-ministri i jashtëm izraelit, Danny Aylon. I pranishëm edhe imzot Antonio Franko, nunc apostolik në Izrael, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - U bënë hapa vërtet themelore përpara, që ngjallin shpresa se nuk do të kalojë shumë kohë e do të arrihet në përfundimin e kësaj marrëveshjeje, që trajton të gjitha aspektet praktike të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës në Izrael: pra, taksat, Viset e Shenjta, e edhe pak çështje, mbi të cilat duhet të punojmë akoma, me dëshirën për t’i dhënë përgjigje problematikave konkrete.

Pyetje: - Mund të themi se u krijua edhe një frymë e re, gatishmërie….

Përgjigje: - Progresi u arrit, besoj, edhe në sajë të faktit se, në këto vite bisedimesh, jemi njohur më mirë reciprokisht, e, prej këndej, edhe i besojmë më shumë njëri-tjetrit. Puna ishte konstruktive; atmosfera, pozitive, e kjo, sepse po punojmë prej muajsh për të zgjidhur problemet jetike të vetë Kishës. I paraqitëm këto probleme, paraqitëm edhe arsyet tona e, besoj se u kuptuam e se do të marrim edhe përgjigje. Bëmë, pra, hapa themelore përpara.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për shpresat e vështirësitë e të krishterëve në Tokën e Shenjtë?

Përgjigje: - Ankthi, dyshimet, vështirësitë burojnë nga fakti se paqja duket e largët. Vështirësitë janë të njëllojta si për palën palestineze, ashtu edhe për atë izraelite, sepse mungesa e paqes krijon shqetësime për të dy popujt e, sidomos, për pakicën, që ka vështirësi të gjejë punë, shtëpi, që nuk mund të lëvizë lirisht e as të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore me të drejta të plota… E këto vështirësi, kuptohet, rëndojnë më shumë mbi të krishterët, pakicë, ndërmjet popullsive myslimane e hebreje.







All the contents on this site are copyrighted ©.