2012-01-26 14:11:19

Çelësi i fjalëve të Kishës: kush është "shërbëtori" i Zotit?


Çfarë janë në Kishë meshtarët, ipeshkvijtë? E diakonët, që Shën Pali Apostull i përmend që në Kishën e shekujve të parë? Sot, pikërisht në ditën kur Papa u takua me seminaristët italianë, siç e dëgjuat nga lajmet tona, do të përpiqemi t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, me ndihmën e Etërve të fesë së krishterë, që “ministrat” e Zotit i quajnë “shërbëtorë”.
Shën Bernardi i Kiaravales, i cili ka jetuar në vitet 1090-1153, na kujton se cilido qoftë emri, që njerëzit u japin ministrave të Hyjit, ata janë vetëm “shërbëtorë”. E duke përdorur figurën poetike të “rojeve të qytetit”, shën Bernardi shkruan: “Sa roje të mira janë ato që, ndërsa ne flemë, qëndrojnë zgjuar, sikur të duan të përgjigjen për shpirtrat tanë! Sa rojtarë të mirë, që, duke vigjëluar me shpirt dhe duke e kaluar natën në lutje, zbulojnë planet e armiqve, u paraprijnë projekteve të të këqinjve, i shkëpusin lidhjet e tyre, i shmangin kurthet, e shkatërrojnë rrjetën e intrigave, nxjerrin mbi ujë makinacionet! Këta janë dashuronjës të vëllezërve e të popullit të krishterë, që luten shumë për popullin e për gjithë qytetin. Janë ata, të cilët, të kujdesshëm për delet e Zotit, që u janë besuar, ia dorëzojnë zemrën Hyjit e i luten pa pushim të Tejetlartit. Vigjëlojnë e luten duke e ditur se nuk mjafton ta ruajnë ata qytetin, sepse nëse “Zoti nuk e ruan qytetin, më kot vigjëlon rojtari”.
Kush nuk e kujton rolin, që Jezusi u besoi dishepujve: të jenë shërbëtorë të Hyjit, duke i shërbyer njëri-tjetrit? Në Ungjillin sipas Gjonit shkruhet: Nëse, pra, unë - Zotëria dhe Mësuesi - ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri-tjetrit” (Gjn 13,14). Përsa u përket ipeshkvijve, Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit mbi Kishën, “Lumen gentium”, përshkruan tri funksione: mësimin, shenjtërimin veçanërisht përmes Sakramenteve, qeverisjen. E gjithnjë me fjalët e shën Bernardit të Kiaravales, ja si plotësohen këto tri detyra për të shuguruarit në Krishtin: “Kini kujdes, secili prej jush që i ka rënë për short ky lloj shërbimi; kini kujdes për vetveten e për pasurinë e çmuar, që ju është dhënë. Ajo është qyteti: vigjëloni për mbrojtjen e për mbarëvajtjen e tij. Është nusja: duhet ta zbukuroni. Janë delet: kini kujdes, ku e kanë kullotën”.
Gjithçka tjetër, gjithçka që përbën sot figurën e meshtarit në shoqëri, është rezultat i zakoneve, apo i praktikave historike, të cilat nuk mohohen, por shpesh, janë lajle-lule, që e largojnë të krishterit nga kuptimi i vërtetë i detyrave, që u besohen “peshkatarëve të njerëzve”. Gjithçka është në plan të dytë në krahasim me respektin për misionin që çdo bari i Kishës merr nga Hyji i Gjithpushtetshëm, për të qenë në “shërbim” të popullit të Zotit.
Ata që i imagjinojmë si disa lloj “fisnikësh” në Kishë, ose si elementë të hierarkisë, nuk janë tjetër veçse “shërbëtorët” e qytetit: shërbëtorë të njeriut e të Zotit, shërbëtorë të fesë, të shpresës e të dashurisë. E për ata që kanë frikë se mos këtyre “shërbëtorëve” u ka ardhur fundi e do të zhduken me kohë, mund t’u tregojmë historinë, gjatë së cilës bota e vjetër zëvendësohet me të renë e njeriu i vjetër me njeriun e ri, siç thotë Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve: “Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar sipas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës ju duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës - njeriun e vjetër, të cilin prirjet e ulëta e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës” (Ef 4,20-24).
Kisha vazhdon të rilindë përditë. Edhe nga një farë e vetme lind një pemë e madhe dhe e shëndetshme. Jo vetëm të shuguruarit, por edhe të gjithë të pagëzuarit në Krishtin, janë të thirrur t’i shërbejnë Zotit, duke i shërbyer njëri-tjetrit, siç na kujton një shenjtor tjetër i madh i Kishës, Gjon Krizostomi: “Në kujdesin ndaj të tjerëve të jeni të shpejtë” (Rom 12,11). Fryt tjetër ky, që duhet mbajtur gjithnjë parasysh kur i zgjasim dorën vëllait në vështirësi. Nga ky kujdes rrjedh ai zjarr i shpirtit, që na bën ta shohim e t’i shërbejmë Zotit në vëllezërit…”







All the contents on this site are copyrighted ©.