Me 26 janar kalendari përkujton shën Timoteun e Titin, dishepuj të shën Palit
Shenjtorët Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan
prej tij porsi barinj e udhëheqës të bashkësive të krishtera: i pari në udhëheqje
të Kishës së Efezit dhe i dyti, në atë të Kretës. Pra, shenjtorët Timoteu e Titi janë
fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte pikërisht Pali
ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit, ai që i ushqeu me dashuri kristiane
e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin. Pali u takua për herë
të parë me Timoteun, ende djalosh i ri, në Listri: ai ishte bir i një babai
pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe, dishepulle e Palit dhe bashkëpunëtore
e tij. Timoteu, i edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt, duke dëgjuar fjalët e Apostullit
për Jezusin e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, u kthye në fe të Krishtit
dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë jeta e Timoteut
do të lidhej ngushtë me atë të Palit Apostull, për të cilin do të bëhej bir, bashkëpunëtor,
shok udhe, mik, trashëgimtar. Pas martirizimit të Shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte
Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë
baritore. Timoteu pra, qe dishepull e bashkëpunëtor i shën Palit e nga ai u vendos
në udhëheqje të bashkësisë kishtare të Efezit. Titi lindi prej prindërve
grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në Koncilin e Jerusalemit.
Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací. Njoftimin e fundit për
të na e jep Shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi
më asnjë njoftim tjetër. Titi pra, qe shokë i shën Palit në veprimtarinë misionare
qe prej tij vendos në udhëheqje të Kishës së Kretës, ndër shërbimet e para të Kishës. Kujtojmë
se këtyre dy dishepujve, Shën Pali u drejtoi tri letra apostolike me përmbajtje baritore.
Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi, të pasura me hollësi
nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas dy bij në Krishtin, për
të vijuar misionin e ungjillëzimit. Përmes dy Shenjtorëve Pali mundi të mishëronte
atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Krishtin e çliron njeriun nga ligji,
ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit. Ajo që ka vërtetë rëndësi,
është ndërgjegjja e pastër dhe besimi i patundur në Zotin, i mishëruar në jetën e
përditshme përmes veprave të mira.