10 vjetori i kushtimit të Katedrales së Tiranës që ka për pajtor qiellor, Shën Palin
Apostull, ungjillëzuesin e popullit shqiptar. Pra dhjetë vjet më parë, më 26 janar
2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, me një kremtim solemn liturgjik, në praninë
e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte
Kishën Katedrale të vet Shën Palit Apostull, ungjillëzuesit të shqiptarëve. 10-të
vjet më vonë, ky kushtim merr një rëndësi të veçantë, edhe në kuadrin e festës liturgjike
të ‘Kthimit të Shën Palit Apostull në rrugën e Jezusit, që kremtohet më 25 janar,
e pastaj kujtojmë lidhjen e ngushtë të kësaj figure të jashtëzakonshme të Apostullit
Pal me depërtimin e përhapjen e Ungjillit në trevat shqiptare, pra me Ungjillëzimin
e Popullit Shqiptar. Kujtojmë se Shën Pali qe i pari, por jo i vetmi, nga Apostujt
e Krishtit, që shkeli në trevat shqiptare e që mbolli ndër to farën e Lajmit të mirë,
Ungjillit të Krishtit, e cila mbiu dhe u rrit e ujitur, e kultivuar me dëshminë e
madje edhe me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre
trojeve e të popullit shqiptar, duke arritur kulmet nën pushtimin otoman e më vonë
nën diktaturën e tmerrshme ateiste komuniste. Prandaj edhe i dërguari i Papës Gjon
Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, dhjetë vjet më parë,
gjatë homelisë së tij në Katedralen e re të Tiranës, vuri theksin pikërisht mbi persekutimin
e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature ateiste: “Nata e gjatë dhe e dhimbshme
e persekutimit tashmë kaloi – tha kardinali Sodano – e një ditë e ndritshme nisi
të agojë në këtë skaj të Evropës, ku po lind një epokë e re në jetën e atdheut. Simbol
i këtij kapitulli të ri në historinë kombëtare dëshiron të jetë katedralja e re e
Tiranës, që u ngrit në zemër të kryeqytetit, gati-gati si të donte t’u fliste të gjithë
besimtarëve, t’i ftonte të kthehen e të venë në qendër të jetës individuale e shoqërore,
kultin e Hyjit, krijuesit e Zotit tonë”. Për ne të krishterët – shpjegoi në vijim
kardinali Sodano – ky është Urdhri i parë, ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot:
“Unë jam Zoti, Hyji yt. Nuk do të kesh Zot tjetër, përveç meje!”. E ky është mësimi
që Zoti i ka dhënë e vijon t’i japë popullit të vet. “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të
nxori nga dheu i Egjiptit, nga skllavëria; nuk do të kesh zota të tjerë, përveç meje!”. Duke
komentuar leximet e Meshës Shenjte të ritit të kushtimit të Katedrales, Kardinali
Sodano e quajti tempullin e ri, ngritur në zemër të Tiranës “Një shkallë drejt qiellit”;
(leximi i parë, cfr Zan 28, 11-18; 28,17); Tempull shpirtëror (Leximi II, nga Letrat
e Shën Palit drejtuar Korintianëve). E më pas iu drejtua besimtarëve shqiptarë me
fjalët gjithnjë aktuale të Shën Palit: “Vëllezër, ju jeni ndërtesa e Zotit… A nuk
e dini ju, se jeni tempulli i Hyjit e se Shpirti i Hyjit banon në ju?”. Kjo britmë
e Apostullit, të cilit iu kushtua 10 vjet më parë Katedralja, jehon ende e do të kumbojë
në shekuj jo vetëm brenda mureve të saj. Britma përhapet në të katër anët e vendit,
duke i bërë një thirrje të përhershme banorëve të këtyre trevave, si simbol mistik
i pranisë së Krishtit në zemrat e të krishterëve. Kardinali Angjelo Sodano u la
shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës, duke u bërë thirrje:
“Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur
të afërmin”. Kështu, nëntë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë,
katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull. Po ndërtesa
kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës,
nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç
misionit të saj kryesor, që është ai liturgjik, pra fetar e shpirtëror, Katedralja
katolike e Shën Palit në Tiranë është edhe qendër kulture e arti, për të gjithë. Është
vetëm dhjetëvjeçare, ndër më të voglat në moshë, përballë Katedraleve madhështore
të krishterimit, që lartohen në kryeqytetet e Evropës e të botës prej mijëra vjetësh
e ku punuan artistë të pavdekshëm botëror. Por gjithsesi as Katedrales katolike
të Tiranës nuk i mungojnë veprat e artit: madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo
vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo hyn në tempull, të bie menjëherë në sy një
Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar, që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin
në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta, realizuar nga një grup vetratistësh breshianë,
me skena nga jeta e Shën Palit. U shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën
me ipeshkvin e parë të katedrales, imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme
të të cilit u ngrit ky tempull. E një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i
pari Papë që shkeli në Shqipëri. Papa Wojtila nuk e pa të kryer Katedralen e Tiranës,
por shuguroi ipeshkvin e saj të parë, imzot Rrok Mirditën në Katedralen më të njohur
të Shqipërisë, atë të Shkodrës. Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera,
që mund e duhet të dalin nga duart e artistëve, urojmë edhe shqiptarë, të cilët e
dinë mirë se Ungjilli është burim i pashtershëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar
artistët si Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli… për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenj
të të gjitha kohërave e kombeve. Duhen kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore,
ndërmjet të cilave ato muzikore. Katedralja e Tiranës ka korin e saj tejet të përgatitur,
të drejtuar nga muzikantë shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet liturgjike
fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike
e kulturore gjatë gjithë vitit. Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale e Shën
Palit është kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që
në shekujt e parë e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Ndër burimet më
të lashta, që na flet për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekullin
IV, është vëllimi VII i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”,
e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë. Por që në
vitin 95 pas Krishtit, dioqeza e Durrësit kishte ipeshkvin e vet të parë, shenjt
e martir: Çezarin. E shumë më vonë, një ipeshkëv tjetër, tepër të njohur martir: Imzot
Viçenc Prennushin, shuguruar ipeshkëv më 1940, Martir më 1948, në dioqezën e tij. E,
pas një heshtjeje të gjatë, shkaktuar nga persekutimi, Dioqeza e Durrësit e mbetur
pa bari, pa të shkelte në një truall ku ende nuk ekzistonte katedralja e sotme, ipeshkvin
e vet të parë, imzot Rrok Mirditën, që u shugurua më 25 prill 1993 nga vetë Papa Gjon
Pali II. Asokohe dioqeza quhej ende e Durrës-Tiranës, ndërsa më 23 janar 2005 Papa
Vojtila e ngriti në rangun e Kryedioqezës, duke ia ndryshuar edhe emrin në “Arkidioqeza
Metropolitane e Tiranë-Durrësit”. Më 29 qershor 2005 imzot Rrok Mirdita merrte,
në Romë, nga Papa Benedikti XVI, Palion e metropolitit. Një vit më vonë, imzot Goergere
Frendo emërohet ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrësi dhe më 23 shtator 2006 shugurohet
ipeshkëv pikërisht në Katedralen e shën Palit. Katedralja ka vetëm dhjetë vjet
që është kushtuar apo shuguruar, por i ka rrënjët në një histori shumëshekullore:
në historinë e krishterimit ndër shqiptarë që, duke i bërë ballë persekutimeve gjatë
shekujve - hyri në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit!