2012-01-25 15:11:49

Sloveni Zbogar emërohet përfaqësues i posaçëm
i BE-së në Kosovë


Ish-ministri i Jashtëm slloven Samuel Zbogar është përfaqësuesi ri i posaçëm i BE-së në Kosovë. Kështu ka vendosur sot Këshilli evropian, duke kujtuar në një deklaratë se, më 21 dhjetorin e kaluar, Zbogar u emërua ambasador i BE-së në Prishtinë. Në saje të ‘detyrës së dyfishtë’, si përfaqësues i Komisionit dhe i Këshillit, “prania e BE-së në Kosovë do të përforcohet dukshëm”.
Në rolin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, ish kreu i diplomacisë së Lubjanës, do të duhet të punojë “për promovimin e një Kosova të qëndrueshme, demokratike, paqësore e shumetnike, duke kontribuar në njëjtën kohë edhe në stabilitetin e bashkëpunimin rajonal në Ballkanin perëndimor.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndet emërimin e ish-ministrit të jashtëm slloven, Samuel Zbogar në detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili do të jetë njëkohësisht edhe Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, MPJ thekson se "emërimi i zotit Zbogar në këto dy pozicione, rikonfimon angazhimin e madh dhe shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, por edhe perspektivën e pakthyeshme evropiane të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj".
"Ne jemi të bindur se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha autoritetet shtetërore kosovare do të ofrojnë të gjithë mbështetjen e bashkëpunimin e pakursyer për realizimin e suksesshëm të misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm dhe të Kreut të Zyrës së BE në Kosovë, për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës, për kurorëzimin e suksesshëm të dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe për konsolidimin e Kosovës si një vend demokratik multietnik, që jeton në paqe e harmoni në fqinjësinë e vet rajonale", thuhet në deklaratën për mediat.
Duke vlerësuar se eksperienca e pasur, vokacioni personal dhe njohja e mirë e rajonit e bëjnë kandidaturën e zotit Zbogar një zgjedhje të shkëlqyer për një mision kaq të rëndësishëm, MPJ në emër të Qeverisë Shqiptare e siguron zotin Zbogar për bashkëpunimin e hapur e të plotë në realizimin e misionit të tij, dhe i uron suksese në sfidat që e presin përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.