2012-01-25 15:23:37

Piktorët L. Delija e I. Kodra “rikthehen” në atdhe për 100-vjetorin


Krijimet artistike të piktorëve shqiptarë Lin Delija e Ibrahim Kodra do të prezantohen për publikun shqiptar, nga Galeria Kombëtare e Arteve të Tiranës, në këtë vit jubile për Shqipërinë.
Në një intervistë për ATSH-në, drejtori i GKA-së, Rubens Shima, u shpreh se një pjesë e rëndësishme e kalendarit vjetor të Galerisë Kombëtare të Arteve janë projektuar brenda formatit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku dy ekspozita të rëndësishme janë ato të Delisë dhe Kodrës.
"Lin Delija, i njohur në Shqipëri, por jo aq mirë i prezantuar, është ekspozuar herë pas here në ekspozita të vogla, ndërsa kësaj here, GKA do të organizojë një ekspozitë personale me veprat e tij më të mira", tha Shima.
Ekspozita e Lin Delisë, veprat e të cilit ekspozohen në Vatikan, Romë, Kanada, Gjermani, Nju Jork, etj do të vijnë në bashkëpunim me muzeun e tij në Itali. Duhet kujtuar se një numër i madhe të veprave të artistit Lin Delija ndodhën në qytezën italiane Antrodocco, jo larg Romës, pjesa tjetër e veprave të piktorit Shkdoran ndodhën ndër miq italian, e disa tjera ndër shqiptarë anë e mbanë botës.
Ndërkohë që ekspozita e Ibrahim Kodrës do të çelet në bashkëpunim me Fondacionin Kodra në Milano, ku një grup i GKA-së do të përzgjedh veprat më të mira të tij.
"Ajo që vlen të përmendet është që 50 % e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë dhe 50 % e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra", tha drejtori i GKA-së, Shima.
Sipas tij, një tjetër projekt i GKA-së, për 100 vjetorin e pavarësisë, është dhe ekspozita me fotografi si një proces dokumentimi i ngjarjeve para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë.
"Nga Arkivi i Shtetit dhe arkivi i Fototekës "Marubi" do të përzgjidhet kjo periudhë historike dhe përmes dëshmisë fotografike do të përcillet atmosfera, mentaliteti, gjendja, personazhet që krijuan dhe shpallën pavarësinë", tha Rubens Shima.







All the contents on this site are copyrighted ©.