2012-01-25 16:43:34

Papa në audiencën e përgjithshme: bashkimi i të krishterëve duhet të duket me gjithë qartësinë e vet në histori.


“Bashkimi i të krishterëve duhet të shfaqet me gjithë qartësinë e vet në histori, që bota të besojë”: këtë theksoi në mënyrë të veçantë Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Ati i Shenjtë ia kushtoi gjithë katekizmin lutjes, të cilën Jezusi ia drejton Atit në Orën e lumnimit të tij, që të gjithë të jenë një gjë e vetme.RealAudioMP3 Ora e lumnimit të Zotit, që nisi me tradhtinë e Judës e arriti kulmin me ngjitjen e Krishtit të ngjallur tek Ati, është diçka më tepër se lutje e deklaratë e gatishmërisë së plotë për të marrë pjesë në Planin e Hyjit:
“Atë natë Jezusi i drejtohet Atit në çastin kur po flijonte vetveten. Ai, meshtar e fli, lutet për vetveten, për apostujt e për gjithë ata, që do të besojnë në Të, lutet për Kishën e të gjitha kohëve”.
Lumnimi, që Jezusi i kërkon Atit për vetveten, shpjegoi Papa, është shprehje e bindjes më të plotë ndaj Atit:
“Kjo gatishmëri e kjo lutje janë akti i parë i meshtarisë së re të Jezusit, i cili është dhurim i plotë mbi Kryq; e pikërisht në kryq lumnohet akti i fundmë, më i larti, i dashurisë, sepse dashuria është lumturia e vërtetë, lumturia hyjnore”.
Çasti i dytë i kësaj lutjeje, është ndërmjetësimi i Jezusit për dishepujt, që ishin me të:
Jezusi i thotë Atit: Ata nuk i përkasin botës, sikurse unë nuk i përkas botës. Shenjtëroj në të vërtetën; Fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgova në botë; për ta unë po e kushtoj vetveten, që edhe ata të shenjtërohen në të vërtetën”.
Akti i tretë i kësaj lutjeje meshtarake – kujtoi Papa - hap një horizont të pakufishëm, deri në fund të fundit të kohëve:
Me të Jezusi i drejtohet Atit që të vendosë në favor të atyre, të cilët do ta pranojnë fenë, përmes misionit të përuruar nga Apostujt, mision që vijon në shtigjet e pafundme të historisë. Lutet, kështu, për Kishën, lutet edhe për ne”.
Kërkesa kryesore e lutjes meshtarake të Jezusit, kushtuar dishepujve të Tij, është ajo e bashkimit të ardhshëm të të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. Një unitet i tillë, nënvizoi Papa, nuk prodhohet nga bota, por arrin tek ne nga Ati, përmes Birit e në Shpirtin Shenjt:
“Bashkimi i të krishterëve është realitet i fshehur në zemër të njerëzve, që besojnë. Por njëkohësisht, duhet të duket me gjithë qartësinë e vet në histori. Duhet të duket, që bota të besojë, duhet të duket, që të gjithë të jenë vërtet një gjë e vetme”.
Duke kujtuar se gjatë kësaj Jave, kushtuar lutjes për bashkimin e të krishterëve, gjithë besimtarët e krishterë i lypën Zotit dhuratën e bashkimit të tyre të plotë, Papa nënvizoi, në përfundim, se në lutjen meshtarake të Jezusit themelohet përfundimisht Kisha:“Kisha lind nga lutja e Jezusit. Por kjo lutje nuk është vetëm fjalë: është akt, përmes të cilit ai e ‘kushton’ vetveten, domethënë, e ‘flijon’ jetën e vet, për jetën e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.