2012-01-25 19:10:14

Në mbyllje të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa theksoi se uniteti mund të arrihet me impenjimin e të gjithëve.


Sot, në orën 17.30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Benedikti XVI përfundoi Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, duke kryesuar Mbrëmësoret në Bazilikën romake të Apostullit të Popujve jashtë Mureve. Të pranishëm, Metropoliti Genadios, përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike; Kanoniku Riçardson, përfaqësues i ipeshkvit të Kantëburit; anëtarët e Global Christian Forum, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të Kishave e të Bashkësive kishtare, kardinaj, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, të pranishëm në Romë.
Në Bazilikën madhështore ndjehej, kështu, fuqimisht, fryma e bashkimit, aq e dëshiruar nga Kisha e nga bota. Për të foli Papa, gjatë homelisë, duke kujtuar Festën e Kthimit të Shën Palit, përfundimin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve me temë: “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”, e edhe 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, të cilin i Lumi Gjoni XXIII e shpalli pikërisht në këtë Bazilikë.
Benedikti XVI i komentoi leximet liturgjike, duke realizuar një paralelizëm të fuqishëm ndërmjet kthimit të Shën Palit Apostull në rrugën e Damaskut, e kthimit të të krishterëve në rrugën e bashkimit, duke kujtuar fjalët lapidare të Apostullit të Popujve: “Për hir të Zotit, jam ky që jam, e hiri i tij në mua, nuk ishte i kotë” (1 Kor 15,10). Por shndërrimi i Shën Palit, vijoi Papa, nuk kufizohet vetëm në planin etik, si kthim nga imoraliteti në moralitet, e as në planin intelektual, si ndryshim i mënyrës së kuptimit të realitetit:
“Kemi të bëjmë me përtëritjen rrënjësore të njeriut, që i ngjet rilindjes. Një shndërrim i tillë bazohet mbi pjesëmarrjen në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Jezusit, që ndez atë zjarr apostolik, i cili e shtyn Apostullin, e me të çdo besimtar, të pohojë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2,20).
Atëherë ngadhënjimi i Krishtit do të jetë i plotë, na kujton Apostulli, e me të edhe Papa, duke theksuar se kështu profecitë e lashta vërtetohen, vdekja mundet përfundimisht e me të, edhe mëkati, sepse vdekja përpihet në fitore, e çdo i pagëzuar mund të marrë pjesë në këtë fitore e të nisë rrugën e shndërrimit të vet, që arrin kulmin në fundin e kohëve.
Duke vijuar të flasë për fitoren e Zotit tonë Jezu Krishtit, Papa u kujtoi të pranishmëve se ishin mbledhur në Bazilikën e Apostullit të Popujve, pikërisht për t’i drejtuar Zotit lutjen për bashkimin e të krishterëve:
Kur lypim dhuratën e unitetit të dishepujve të Krishtit, bëjmë tonën dëshirën e shprehur nga vetë Jezusi natën e mundimeve e të vdekjes së Tij, përmes lutjes drejtuar Atit, që të gjithë të jenë një gjë e vetme (Gjn 17,21). Prandaj lutja për bashkimin e të krishterëve nuk është tjetër, veçse pjesëmarrje në realizimin e planit hyjnor për Kishën, impenjim veprues për rivendosjen e unitetit, detyrë e përgjegjësi e madhe për të gjithë”.
Duke u kthyer nga kohët biblike të leximeve, në kohët tona, Benedikti XVI kujtoi se në mendësinë bashkëkohore ideja e fitores shoqërohet shpesh me suksesin e menjëhershëm. Ndërsa në optikën e krishterë, fitorja është proces i gjatë e i vështirë shndërrimi, që kërkon durim e këmbëngulje të madhe. Edhe pse Mbretëria e Zotit hyri me vrull e përfundimisht në histori me ngjalljen e Krishtit, ajo nuk është realizuar plotësisht. Fitorja përfundimtare do të arrihet me ardhjen e dytë të Zotit, që ne e presim me shpresë durimtare:
“Edhe pritja jonë për bashkimin e dukshëm të Kishës, duhet të jetë plot durim e shpresë. Të presësh me durim, nuk do të thotë të rrish dyarkryq, përkundrazi, kërkon nga ne t’i përgjigjemi me gatishmëri e vëmendje çdo mundësie për bashkim e vëllazërim, që na dhuron Zoti”.
Pasi përshëndeti delegacionet e pranishme, Papa ia besoi ndërmjetësimit të Shën Palit të gjithë ata që, me lutjen dhe impenjimin e tyre, do të përpiqen për kauzën e unitetit të të krishterëve:
Edhe pse nganjëherë udha drejt rivendosjes së bashkimit mund të duket ende tepër e largët e përplot me pengesa, i ftoj të gjithë të vijonë me guxim e bujari, ecjen drejt unitetit, që është vullneti i Zotit, duke ndjekur shembullin e Shën Palit. Përballë vështirësive të të gjitha llojeve, Apostulli i Popujve nuk e humbi kurrë besimin në Zotin, me bindjen se Ai e çon deri në fund veprën e tij”.
Papa kujtoi edhe shenjat pozitive, që vërehen në rrugën ekumenike, rrugë e vëllazërimit dhe e dëshirës për t’iu përgjigjur njëzëri botës së sotme, që e shikon plot shpresë bashkimin e të krishterëve;
“Prej këndej buron gëzimi e shpresa e madhe, që duhet të na inkurajojë ta vijojmë impenjimin tonë për të arritur gjithë së bashku në cakun përfundimtar, duke e ditur mirë se përpjekja jonë nuk është e kotë përpara syve të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.