2012-01-25 15:24:31

Imzot Filoni në Asamblenë e përgjithshme të ipeshkvijve të Afrikës Perëndimore: në luftrat afrikane, Kisha të punojë për paqen


Në panoramën e luftrave e të konflikteve etnike e fetare, që përgjakin Afrikën Perëndimore, “Kisha duhet të vazhdojë gjithnjë e më frytshëm përpjekjen për të mbrojtur paqen dhe për të përballuar sfidën vendimtare të edukimit me frymën e paqes”. Kjo është thirrja e kardinalit të ardhshëm, Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, para ipeshkvijve të rajonit, mbledhur në asamblenë e përgjithshme të Konferencës Episkopale të Afrikës Perëndimore, e cila po zhvillohet në Jamosukro të Bregut të Fildishtë.
“Shumë popuj të rajonit tuaj janë viktima të luftës civile, të konflikteve etnike e fetare, të krizave politike të vazhdueshme, me pasoja të shumta – theksoi imzot Filoni. Shumë familje të shpërngulura e refugjatët jetojnë në varfëri të skajshme e në mjerim të padurueshëm, pengje të frikës e të pasigurisë, pa të drejtat themelore”. Janë bërë hapa në drejtim të paqes, pranoi imzot Filoni, por janë shtuar edhe konfliktet e luftrat. Për këtë arsye, prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve i inkurajoi ipeshkvijtë të punojnë për një plan strategjik të përbashkët, që të ndihmojë arritjen e paqes e të pajtimit, për të mirën e popujve të Afrikës Perëndimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.