2012-01-24 14:59:22

Takim i delegacionit të OSBE-së në Vatikan. Intervistë me kryetarin, Petros Efthymiou


Në dhjetëvjeçarët e kaluar, Evropa e ka bazuar zhvillimin dhe mbrojtjen e vet, duke pasur parasysh marrëdhëniet me Amerikën e duke e lënë mënjanë Azinë. Por gjendja ka ndryshuar e aktualisht, Evropa duhet të marrë vendime, që përfshijnë edhe kontinentin aziatik. Kjo është bindja e kryetarit të asamblesë parlamentare të OSBE-së (Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë), Petros Efthymiou, i cili dje ishte në Vatikan, së bashku me një delegacion nga kjo organizatë. Pas takimeve me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mamberti dhe me kreun e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Zhan Lyi Turan, e ftuam në mikrofonin tonë:
Përsa i përket OSBE-së, njerëzit kujtojnë rolin që ka pasur në të kaluarën, por nuk e njohin rolin e saj sot e aq më pak, në të ardhmen. Ne kemi një të kaluar të lavdishme, pasi falë infrastrukturave të OSBE-së, Evropa Lindore është shndërruar nga regjimi totalitarist në demokraci moderne. Kjo u realizua sidomos në sajë të OSBE-së. Tani, organizata ndodhet para një ardhmërie të rëndësishme. Në Evropë nuk ka siguri. Ka siguri nëpërmjet Paktit të Atlantikut, NATO-s e Bashkimit Evropian, por nuk kemi një përmasë euroaziatike për sigurinë. Nga Viena në Kazakistan nuk ka asgjë. OSBE-ja është i vetmi mjet në dispozicion për të punuar së bashku: SHBA-të me Rusinë, Evropa perëndimore me lindoren, për të ndërtuar një platformë për paqen, stabilitetin e bashkëpunimin.
Papa Benedikti XVI ka theksuar shpesh se liria fetare është e para, ndër të drejtat e njeriut. Cilat janë marrëdhëniet e OSBE-së me Selinë e Shenjtë? Na flisni pak për të drejtat e pakicave, sidomos të pakicave fetare…
Takimi ynë me imzot Mambertì, më duket se ishte shumë i dobishëm, i qartë e i frytshëm. Në njëfarë kuptimi, Selia e Shenjtë është një lloj gjeneratori idesh për OSBE-në, burim vlerash e parimesh. Përfaqëson edhe një faktor qëndrueshmërie. Në asamblenë tonë në Oslo, kemi votuar një rezolutë për lirinë fetare, me të cilën, besoj se jemi plotësisht në harmoni me qëndrimet bazë të Selisë së Shenjtë. Kemi miratuar edhe një rezolutë për dialogun e respektin ndërmjet feve. Kjo është baza e paqes dhe e qëndrueshmërisë në shoqëritë tona, ku ka përpjekje për t’i përdorur fetë për arsye politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.